Strakosha: Hidi gaboi, por e dua titullarIsh-kapiteni i Kombëtares i del në mbrojtje portierit kuqezi: “Ishte pozicion i vështirë. Nuk mund të kritikohet vetëm ai”

Jetmir Halilaj- Ishte në stadium të shtunën dhe besoi deri në fund se kuqezinjtë do t’ia bënin një dhuratë të bukur, por një ish-kapiten si ai, e dinte fare mirë se një neglizhencë sado e vogël, do t’u kushtonte rëndë shqiptarëve. Foto Strakosha, ish-portieri i Kombëtares shqiptare, e ka përjetuar keq humbjen ndaj Portugalisë, që sipas tij erdhi si mungesë e shpërqendrimit. Ai vlerëson trajnerin Kuzhe për organizimin dhe i thur elozhe skuadrës për grintën dhe për vendosmërinë në fushë. Strakosha i ka dalë në mbrojtje Isli Hidit, për golin e pësuar në minutat e fundit, duke thënë se ai është e ardhmja e portës kuqezi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Strakosha nuk i kursen edhe vërejtjet për skuadrën, apo trajnerin.
Si ish-kapiten, çfarë note do t’i vinit Kombëtares shqiptare për paraqitjen që bëri me Portugalinë?
Pozitive, padyshim. Luajtëm mirë dhe ashtu siç e humbëm takimin, edhe mund ta kishim fituar. Mos harroni se kishim përballë një nga skuadrat më të mira në Evropë.
Si ish-portier, a mendoni se Hidi mund të na e kishte evituar atë humbje?
Edhe mundet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se faji ishte vetëm i tiji. Është e lehtë të kryqëzosh një futbollist dhe ta humbasësh atë. Ishte një pozicion i vështirë ai i Hidit dhe vetëm një njeri që merr vesh nga futbolli, mund ta kuptojë se nuk ishte edhe aq e lehtë të evitohej. Megjithatë, nuk besoj se ia vlen të kritikohet aq shumë, sepse nëse ka pasur një shqiptar në ato momente që është ndier më keq nga të gjithë, ka qenë pikërisht Hidi. E them këtë, sepse pas golave që pësoi në Danimarkë, të cilët nuk më pëlqen t’i komentoj, dëshironte patjetër që të bënte një paraqitje të mirë. Kështu që nuk ka pikë dyshimi se ai dha maksimumin në atë ndeshje, por futbolli njeh edhe ekstremitete të tilla.
Nëse do ta takonit në këto momente, çfarë do t’i thoshit?
Nëse je burrë, më trego që situata të tilla nuk të pengojnë të ringrihesh dhe të tregosh se kush je. Isli është shumë i talentuar dhe besoj se do të ketë shanse. Mendoj se duhet t’i jepet besim edhe në të ardhmen, sepse impenjohet dhe e meriton të luajë.
Ju do ta kishit pësuar një gol të tillë?
Nuk e di se çfarë do të kisha bërë në atë rast, por ama di që kam pësuar edhe gola që të djegin shumë më pas. Ky është futbolli.
Çfarë ju pëlqeu te Kombëtarja?
Grinta dhe serioziteti me të cilin hynë në fushë lojtarët. Dhanë gjithçka dhe luftuan me ndershmëri ndaj portugezëve. Për asnjë moment nuk pati lojë të pisët nga tanët dhe kjo më kënaqi.
Çfarë nuk ju pëlqeu?
Humbja e atillë. Sikur po ma ndiente zemra, sepse morëm flakë kot. Ne vërtetë kemi skuadër të mirë dhe kemi shpirt luftarak, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm në çdo moment se kë kemi përballë. Nëse e vutë re, në rastin e parë të Bogdanit, pas asistit që mori nga Skela, e gjithë skuadra u kap në kundërkohë dhe mund të ishim ndëshkuar. Kjo ndodhi edhe në rastin kur Bogdanit iu shkaktua faull në zonë dhe u pretendua për penallti. Pak sekonda më mbrapa ne sërish rrezikuam të pësonim gol. Ka ardhur koha që të gjithë lojtarëve t’iu ngulitet në mendje se ndeshja mbaron kur fishkëllen gjyqtari dhe jo kur ata mendojnë se ka mbaruar. Edhe kjo ndikoi në atë humbje të hidhur që pësuam, sepse nuk u treguam kompaktë sa në fillim. Kjo është një gjë aspak e mirë dhe duhet të heqim dorë njëherë e përgjithmonë nga euforia e tepërt. Megjithatë, unë jam shumë optimist, pasi Kuzhe ka sjellë frymën e duhur.
Pushimet
Ish-kapiteni i Kombëtares ka vendosur të shfrytëzojë kohën e lirë për të bërë disa ditë plazh në bregdetin shqiptar. “Tani jam me familjen në Vlorë dhe kam vendosur të relaksohem për pak ditë, sepse ky ishte një sezon shumë i lodhshëm”, ka thënë Strakosha. Ai aktualisht është trajneri i portierëve te skuadra e Apoel Nikosias, e cila u shpall kampione e Qipros këtë edicion.
Parandjenja
I druhej gjithnjë minutave të fundit, pasi e di mirë se Shqipëria shpeshherë e pëson atëherë kur nuk e pret. “U acarova që kur pashë se filluam të linim shumë hapësirë mbrapa. Duhej të tregoheshim më pak euforikë. Nuk e di, por të them të drejtën në minutat e fundit, duke parë edhe mënyrën se si po luante ekipi, fillova të kisha frikë dhe në fakt ngjau ajo që nuk doja të ndodhte kurrë...”.
Kurs në FSHF, për licencën e trajnerit
I duhet licenca e trajnerit dhe për këtë ka vendosur të regjistrohet në FSHF, për të kryer kursin dhe më pas për t’u pajisur me dokumentin përkatës. “Ndodhem prej disa ditësh në Shqipëri dhe gjatë kësaj kohe kam ndjekur një kurs për t’u pajisur me licencën e trajnerit. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë dhe të mos më dalin probleme, pasi nuk kam shumë kohë për të humbur”, është shprehur ish-mbrojtësi ekstrem.
E Hene, 08 Qershor 2009