Kuzhe: Ëndërroj t’ju çoj në EuropianRrëfimi i trajnerit të Kombëtares. “Në vitin 2012 dua të shikoj tifozë kuqezi”. Kroati: Shqipëria po bën hapat e parë. Unë kam besim se do ta arrijmë këtë nivel

JORGIS MEMO (Panorama Sport) -Pas humbjes në minutat e fundit me Portugalinë, Josip Kuzhe ka shprehur hapur ambicien e tij si trajner i Kombëtares shqiptare. Gjatë një rrëfimi për jetën, familjen dhe të ardhmen në krye të kuqezinjve, në emisionin “E diela shqiptare”, Kuzhe ka thënë ndër të tjera se ëndrra e tij është që ta çojë Shqipërinë në Evropianin e vitit 2012. “Ëndrra ime është që ta bëj Shqipërinë të jetë pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni. Shqipëria po bën hapat e parë për të luajtur në këtë nivel futbolli. Ka shumë lojtarë shqiptarë, të cilët aktivizohen në arenën ndërkombëtare dhe unë jam optimist për këtë. Duke shfrytëzuar këtë talent që ata kanë, kam shumë besim se Shqipëria, në vitet e ardhshme, mund të luajë në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe atij botëror. Dëshira ime është që në kampionatin evropian të vitit 2012, të ketë në stadiumet e Ukrainës apo Polonisë, shumë tifozë shqiptarë me ngjyrat kuqezi, për të mbështetur kombëtaren e futbollit, si pjesëmarrëse për herë të parë në këtë kompeticion”, - është shprehur trajneri Josip Kuzhe. Kroati ka folur gjithashtu edhe për 10 ditët e para të punës së tij me kuqezinjtë. “Në ditët e para të punës sime u përpoqa të injektoj mentalitetin e fitores për gjithçka. Unë do mundohem që të punoj profesionalisht. Nëse shikoj që lojtarët nuk do të jenë të mirë me mua, atëherë nuk mund të jetë një atmosferë e mirë. Por nëse ka atmosferë të mirë në skuadër, do të thotë që je kompetitiv, pra konkurrues dhe me shpirt fituesi. Kjo do të ndodhë për çdo ndeshje dhe jo vetëm në një ndeshje. Unë e ndjej që në skuadrën tonë kombëtare do të ketë një atmosferë shumë të mirë”, - ka përfunduar kreu i pankinës shqiptare.
“E keni futbollin në gjak”
“Me Shqipërinë dua që të kem një sukses profesional. Kam ardhur këtu për të fituar. Unë nuk dua që të jetoj në Kroaci dhe informacionin për Shqipërinë ta marrë prej andej. Dua që gjithçka ta bëj nga Shqipëria. Mund të them se jam shumë i lumtur për këto ditët e para që jetoj në Tiranë dhe besoj se do të jem i tillë në vazhdimësi. Që përpara se të vija këtu, e kisha në mendjen time imazhin e një lojtari tipik shqiptar. Mendoj se shqiptarët e kanë futbollin në gjak”, përfundoi trajneri Kuzhe.
Avokat
Përveç se një trajner që ka CV të pasur, jeta e Josip Kuzhesë ka njohur edhe arritje të tjera. Fare mirë, kroati mund të ishte një avokat. “Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe sot mund të isha një avokat i zoti. Midis kësaj dhe futbollit, zgjodha të vazhdoja karrierën si trajner. Jam i lumtur për këtë. Kam pasur shumë eksperienca, madje në Australi, Japoni dhe Afrikë”, tregon Kuzhe.
Familja
Djalit i kërkoi të mos vinte me Portugalinë
Në rrëfimin e tij, trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka treguar edhe për familjen. “Djali donte të vinte për të ndjekur ndeshjen kundër Portugalisë. Meqenëse ishte një ndeshje tepër e rëndësishme dhe unë doja të isha i përqendruar totalisht aty, i thashë që të mos vinte. Ai ka një biznes në Kroaci dhe e ka të vështirë të vijë këtu për të jetuar gjatë gjithë kohës. Por me siguri do të jetë për të parë ndeshjet, herë pas here. Nga ana tjetër, gruaja ime ka shumë dëshirë për të ardhur në Shqipëri, në mënyrë që ne të jetojmë bashkë. Unë dëshiroj të jem sa më profesional dhe dua që të qëndroj këtu”, është shprehur kroati.
Kroati për bixhozin
“Në vend që të tradhtoja gruan, shkova të luaja në kazino”
“Mua më pëlqejnë gjërat normale dhe gjërat e vogla në jetë. Gjatë gjithës jetës sime, më kanë pëlqyer lojëra të ndryshme. Çdo njeri ka histori të mira dhe të këqija. Personalisht kam kaluar histori të mrekullueshme. Kam vetëm një histori të keqe përsa i përket bixhozit. Unë kam shkuar në kazino dhe nuk kam një shpjegim përse e kam bërë këtë. Të gjithë shqiptarët besoj se kanë shkuar në kazino, madje aty kam takuar shumë prej tyre. Kam një teori për veten. Njerëzit jetojnë me disa pasione, siç është dashuria apo seksi. Unë, në vend që të tradhtoja gruan, shkova të luaja në kazino. Tashmë u bënë disa vite që nuk shkoj më aty. Kam një familje të mrekullueshme dhe jam i lumtur për këtë”, ka thënë trajneri i Kombëtares, i pyetur për të kaluarën e tij.
16
ndeshje në të cilat Kombëtarja shqiptare i ka humbur, ose është barazuar në minutat e fundit që prej viteve ‘80-të e deri te përballja me portugezët.
3
ndeshje, në të cilat Kombëtarja shqiptare ishte në fitore në çastin ku ka pësuar golin në minutat e fundit të ndeshjes. Shqipëri-Ukrainë 2-2, Estoni-Shqipëri 1-1, Norvegji-Shqipëri 2-2.
E Hene, 08 Qershor 2009