Strasburg,protesta kundër samitit të NATO-s
Policia franceze ka përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve anti-NATO në Strazburg gjatë orëve të para të së shtunës. Protestuesit ishin mbledhur në periferi dhe u përpoqën që të depërtojnë për në qendër të qytetit, përpara se liderët e aleancës të takohen për samitin. Protestues nga lëvizje të ndryshme anti-NATO kanë nisur marshimin nga kampet e tyre, duke u shprehur se do të përpiqen të kthejnë samitin duke bllokuar rrugët dhe marshuar përmes Strazburgut, ku mbahet sesioni kryesor i të shtunës. Demonstruesit po sfidojnë sistemin e sigurisë që është ngritur pikërisht për të përballuar ata. Policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për t'i ndalur. Protestuesit e shumtë janë përpjekur për të bllokuar urat dhe pastaj për të hyrë në qytet nga periferia ku ndodhet dhe kampi i tyre e ku janë mbledhur mijëra demonstrues. Forcat policore kanë arrestuar qindra persona në mesin e përleshjeve të këtyre tre ditëve të fundit në Strazburg. Ndërkohë që edhe në qytetin gjerman të Baden Badenit, ku nisi dhe samiti, policia vendase ka arrestuar një protestues. Rreth 500 persona morën pjesë në një protestë paqësore. "Gjatë protestës, një numër pjesëmarrësish filluan të mbulonin fytyrat e tyre, gjë që është kundër ligjit. Prandaj u krye edhe arrestimi", shprehet Dieter Shaider, nga policia e Vyrtembergut. Franca dhe Gjermania kanë vënë në gatishmëri secila nga 15 mijë forca policore për ruajtjen e rendit gjatë samitit, një mission që ka kushtuar 110 milionë euro. Më 3 dhe 4 prill, Aleanca e Atlantikut Verior po feston 60 vjetorin e krijimit, 60 vjet suksese për ndërtimin e një Europe të lirë, të bashkuar dhe në paqe. Ndërsa dikur misoni i saj ishte sigurimi brenda kufijve të Europës, sott aleanca vlerëson se kërcënimet mund t'i vinë nga çdo skaj i botës. Prandaj ajo jo vetëm që po riafirmon misonin e saj themelor të mbrojtjes kolektive të aleatëve të saj, por po sjell një siguri më të madhe në Afganistan dhe po vazhdon të përgatitet për kërcënimet e reja që mund të ndeshë nga ndërhyrjet kompjuterike deri tek sulmet terroriste.