E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu: Shqipëria, borxh 8 mijë euro Vehbi Alimuçajt

TIRANE - Shqipëria humbet sërish në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe këtë herë kundër Vehbi Alimuçajt. Ditën e djeshme, kjo gjykatë dha vendimin përfundimtar për dosjen e dorëzuar në Strasburg që në 2 Qershor 2005.

Vendimi i trupit gjykues, që kryesohej nga presidenti Nicolas Bratza, ka detyruar shtetin shqiptar t’i paguajë atij 8000 euro, si dhe taksat respektive në valutën vendase, sipas kursit të këmbimit në ditën e vendimit. Por nga ana tjetër, Gjykata e Strasburgut rrëzoi shumicën e pretendimeve të Alimuçajt, meqenëse raportet mjekësore të paraqitura dëshmonin keqësimin e situatës për shkak të vijimësisë së sëmundjes tek individi, por pranoi se nuk ishte respektuar neni 7 i Konventës (nuk ka dënim pa ligj), me argumentimin, se ndaj aplikuesit ishte imponuar një dënim më i rëndë se ndëshkimet në fuqi gjatë kryerjes së veprës penale.

Sipas rregullores së kësaj gjykate, ky vendim hyn në fuqi pas tre muajsh, nëse asnjëra palë nuk do të kërkojë rishqyrtim të saj. Në rast të kundërt, shteti shqiptar duhet t’i paguajë 8 mijë euro 63-vjeçarit Alimuçaj, ish-presidentit të firmës “VEFA Holding”, brenda një afati 3-mujor.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›