E Diel, 1 Nëntor 2026

21 Janari, Rama: Vrasjet jo mbrojtje, por dënim me vdekje ndaj opozitës

TIRANE-Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh sot në emisionin televiziv ne TVNews24, “5 pyetje nga Babaramo” se rivendosja e rendit publik dhe garantimi i jetës e biznesit të qytetarëve mbetet prioritet gjithmonë dhe më i fuqishëm për PS.
“Është një prioritet gjithmonë dhe më i fuqishëm, për shkak se krimi po e mbyt Shqipërinë. Sot është fakt se krimi sundon rrugëve dhe dikton dhe axhendën e lajmeve të përditshme me bëmat, me vrasjet, eksplozivët, nga ana tjetër ne në programin tonë për një ‘Rilindje Shqiptare” kemi vënë theksin për një qëndrim të ashpër ndaj krimit dhe shkaqeve të krimit”. 

Sipas kreut të PS, krimi i ka ngulur rrënjët në shoqërinë shqiptare për disa arsye, ku më e madhja është keqqeverisja shqiptare dhe pandeshkueshmeria nga gjykatat. 
“Ajo që po ndodh është shkak i shpërbërjes së pëlhurës shqiptare të vendit. Krimi i ka ngulur rrënjët në një shoqëëri për shkak të keqqeverisjes. Krimi ushqehet nga një sërë arsyesh të tjera sociale, të kthyera në plagë të cilat janë bazë. Krimi ka dalë nga kontrolli i zinxhirëve të mundshëm. Krimi sot nuk i trembet ligjit as gjykatave, e ka vrarë frikën ndaj ligjit dhe kultura e pandëshkueshmërisë është stimul ndaj krimit”.

Rama më tej, akuzoi se dhe shifrat që jep qeveria për krimin nuk janë reale pasi tashmë i fabrikon ato. Kreu i PS njofton se të premten PS do bëjë të ditur në një tryezë për drejtësinë, shifrat reale mbi krimin në vend.
“Ndërkohë sa i përket shifrave ne sot kemi lajmëruar se ditën e premte në tryezën tonë për rendin publik në programin e 'Rilindjes Shqiptare' do paraqesim shifra reale. Historia e shifrave është kthyer në një makth se qeveria fabrikon shifrat duke filluar nga ekonomia. ndërkohë që akti i fundit për vendosjen e INSTATI-t nën hyqmin e kryeministrit provon se qeveria ka nevojë edhe më shumë për shifra të fabrikuara, në një botë mediatike nga pushteti përmes interesash që lidhen drejtpërdrejt me pushtetin”. 

21 JANARI
Kryetari i PS-së duke folur për hetimin e 21 janarit u shpreh se hetimi po shkon në rrugën e duhur, falë kurajos së kryeprokurores Ina Rama dhe mbështetjes së SHBA-ve.
“Për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit janë bërë hapa të rëndësishëm falë kurajës dhe integritetit të kryeprokurores Ina Rama dhe mbështetjes së SHBA. Falë ekspertizës së FBI kanë dalë në pah provat që gozhdojnë qeverinë, nxjerrin në pah se janë vrasje me paramendim, janë dënime të mirëfillta me vdekje dhe pa gjyq ndaj protestuesve të pafajshëm”, tha Rama.

I pyetur nëse kishte ndërmend të kërkonte falje për ngjarjet e 21 janarit, tashmë kur ka kaluar një vit, kryesocialisti Rama u shpreh, se përgjegjëse për të është vetëm qeveria, sepse policia i provokoi.
“Masakrën e 21 janarit nuk e bëri opozita, por qeveria që vrau me pushkët e gardës nën përgjegjësinë e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, ky krim nuk mund të balancohet. Njerëzit në demonstratë me vullnet të lirë, nuk i përdori opozita”.
Kreu i opozitës sqaroi më tej se në 21 janar të vitit të kaluar “Demonstruesit u ndaluan dhe u hetuan, asgjë e tillë nuk ka rezultuar, asnjëri prej tyre nuk është fajtor për asgjë. Ata kanë reaguar në mënyrë spontane, pasi i provokoi policia”, tha ai.

Kreu i PS u shpreh i gatshëm të hetohet për ngjarjet e 21 janarit, nëse organi i akuzës kërkon dicka të tillë.
“Prokuroria e Përgjithshme ka të gjithë të drejtën të hetojë gjithcka sheh të arsyeshme, ne kërkojmë hetim të paanshëm, i qëndrojmë kësaj kërkese edhe kur përfshihen deputetët e PS. Kam gatishmëri që sikurse tre deputetët dorëzuan vullnetarisht mandatin, ta bëjnë edhe të gjithë të tjerët. Edhe unë jam i gatshëm të vihem në dispozicion të Prokurorisë, nuk kam asgjë për të fshehur”, tha Rama.

Rama theksoi se më 21 Janar janë shkelur të drejtat e njeriut pasi demonstruesit janë vrare, jane rrahur, kurse të ndaluarve u janë kërkuar dëshmi të rreme.

Kurse rreth kërkesave të ambasadorit amerikan Arvizu që prokurorisë mos t’i bëhet presion, Rama theksoi se kërkesa për të hetuar Berishën dhe Bashën nuk përbën asnjë presion, por vetëm qëndrim. Sipas kreut të PS, nuk ka më dyshime se kush dha urdhrin për të qëlluar më 21 Janar.
“Kërkesa jonë që Berisha dhe Basha të heton nuk është presion ndaj prokurorisë, por qëndrim në kërkim të së vërtetës, ndërkohë që ne nuk kemi as pikën e dyshimit se Garda republikane nuk mund të hapte zjarr pas atë urdhër dhe atë urdhër nuk mund ta jepte kush përvec kryeministrit dhe ministrit të brendshëm”.

Rama nuk pranoi të bëjë komente rreth deklaratës së Arvizu për Lulzim Bashën që e cilësoi pak kohë më parë ‘si një yll në ngjitje’, por theksoi se falenderon ambasadorin për mbështetjen që i ka ofruar prokurorisë për hetimet e 21 Janarit.

“Nuk dua të bëj komente për këtë perceptim të Arvizu, por përfitoj nga rasti t'i shpreh mirënjohje Arvizu për mbështetjen pa ekuivok hetimit për 21 Janarin jo vetëm duke këmbëngulur që e vërteta të dalë, por duke patur një rol të madh nga FBI e SHBA që e vërteta të dalë. Kjo përbën për ne një motiv që t’i jemi përgjithmonë mirënjohës ambasadorit Arvizu”.

Kreu i PS theksoi se më 21 Janar u vranë 4 njerëz dhe u plagosën shumë të tjerë duke shkelur rëndë Kushtetutën e vendit.
“Janë shkelur në mënyrën më barbare Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ato nuk janë vrasje për të mbrojtur, por dënime me vdekje ndaj opozitës. Dhe mos harrojmë se ajo që ka ndodhur nese do ishte e ligjshme, kushtetuese, do shtet në funksion të ligjit e rendit ligjor në Shqipëri, kryeministri nuk do kishte nevojë të fshihte prova duke fshirë serverin e kryeministrisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pa miratimin e tij. Koloneli nuk do kishte nevojë të ndërronte tytën dhe heronjtë e Berishës, barbarët që qëlluan në drejtim të popullit, jo nuk do ishte e ligjshme”.

Rama thekson se nuk ka ligj në botë që justifikon vrasjet e kryera më 21 Janar të vitit 2011 në Bulevardin Deshmoret e Kombit, perballe kryeministrise.
“Së pari aty ku u kryen vrasjet nuk ka patur nevojë për asnjë tampon, se aty ka patur hapësirë për të lozur futboll. Njerëzit janë tërhequr, dhe deputetët qëndruan në protestë duke tërhequr protestuesit dhe qëndruan në mes të plumbave. Nuk ka asgjë në botë që justifikin ato vrasje, asnjë argument teknik, politik, ligjor e kushtetues që justifikon ato vrasje dhe që heq përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit e ministrit të brendshëm për ato vrasje”.

Video Meta-Prifti
Rama theksoi në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” se debatin për ndërhyrje në video e ka thënë vetëm Berisha dhe ekspertët vendas. “Për të gjithë arsyet që e gjykojnë të tillë shumica dërrmuese e shqiptarëve se do duhej të pranonim përndryshe atë që pamë nuk e pamë dhe atë që dëgjuam nuk e dëgjuam, është ekuivok nga ana e tyre. Se 28 herëshin ndërhyrje ne video e ka përmendur vetëm Berisha".
Rreth vendimit të Gjykatës së Lartë për Metën, Rama tha shkurt se “sigurisht që në kushtetutë është një pushtet i pavarur, në realitet është një pushtet i varur dyfish, kur është fjala për të ndëshkuar të pandëshkueshmit”.

Drejtësia
Kryesocialisti Rama lëshoi akuza të rënda edhe për sistemin e drejtësisë në vend. Sipas tij “Drejtësia nuk merret me ligjin, blihet me para. Në dyert e drejtësisë shumë njerëz flakën si lecka edhe kur janë me të drejtën e zotit”. Rama foli edhe për një pakt për drejtësinë që sipas tij fle në sirtarët e kryeministrit, të cilit nuk i interesojnë gjykatat e lira.

Pakti për drejtësinë është propozuar që prej 2008, nuk ka përgjigje. Pakt të cilin e kemi konceptuar në shembullin e Spanjës. kjo qeveri i do këto gjykata, i duhet që të dridhen para pushtetit, të kenë frikë é të mos i dalin nga duart”, tha Rama.

Ekonomia
Kryetari i Partisë Socialiste komentoi edhe situatën politike në vend. Ai e cilësoi modelin ekonomik të dështuar, ndërsa akuzoi INSTAT-in e Bankën e Shqipërisë, se janë palë me qeverinë dhe jo me të vërtetën
“Modeli ekonomik i qeverisë vetëm liberal nuk është, kjo është politikë klienteliste, monopoliste dhe asfiksuese për lirinë e tregut dhe çdo sipërmarrje...Të konfirmuara janë ishin shumë shifra në Greqi, para se të plaste hataja por kontrolloheshin nga qeveria. Siguroj që INSTAT-i ynë është një minë me sahat, për atë që fsheh brenda. Saliu gënjen duke fabrikuar shifra që nuk ekzistojnë. Edhe Banka e Shqipërisë është palë me qeverinë në më shumë se një rast është vënë në shërbim të propagandës së qeverisë”, tha Rama.

Rama paraqiti gjatë emisionit edhe një tabelë me shifra mbi papunësinë. Sipas tij në vend ka 1 milion të papunë, cka, sic shtoi Rama, tregon se modeli ekonomik ka dështuar.
“1 milion të papunë në Shqipëri sot, një shifër katastrofike, na jep mundësinë të themi që modeli ekonomik ka dështuar, modeli i zhvillimit ka dështuar, kjo histori është një histori dështimi”, vijoi kryesocialisti.

Taksa progresive
Duke mbrojtur iniciativën e taksës progresive, Rama theksoi se kush fiton më pak duhet të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë të paguajë më shumë taksa.
“Por e përsëris, principi ynë është i thjeshtë, sot 6% e shqiptarëve zotërojnë pasurinë që ka ky vend dhe paguajnë më pak taksa. Ndërkohë që populli mezi nxjerr muajin. Kush fiton më pak, do paguajë më pak, kush fiton më shumë do paguajë më shumë”.
Kreu i PS tha se kundërshtimi që i bën qeveria idesë për taksën progresive është e mbrapshtë.
“Së pari, njëherë nqs ka një forcë të interesuar për një vend normal, për një shoqëri që nuk vuan nga tërë këto plagë dhe për një klimë që mbart optimizmin për të nesërmen, kjo forcë është biznesi dhe kundërshtimi që i bën pala tjetër iniciativës sonë është e mbrapshtë. Ne kemi folur për të ardhurat personale, dhe kemi thënë që është e pamundur që një infermiere të paguajë më shumë taksa se doktori dhe vetë kryeministri”

Sipas Ramës kjo iniciativë nuk pengon as investimet e huaja në vend.
“Ardhja e invesimeve të huaja nuk lidhet gjëkundi me këtë element të taksës progresive. Të harrojmë se në Shqipëri do ketë investime të qëndrueshme dhe reale, që lidhen me administratën publike, që lidhen me burokracitë, qëndrueshmërinë e sistemit fiskal duke krijuar destabilitet të plotë dhe projketet për investime”.

(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›