Topalli: Shqipërisë i mungon institucioni mbi palët, Presidenti njësoj si opozita

“Shqipëria pa status, opozita përgjegjëse”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një deklarate për mediat, ka deklaruar se jo vetëm mungesa e votave të opozitës, por edhe mungesa e institucionit të Presidentit në pozicionin kushtetues si një institucion mbi palët, është një arsye shtesë që në Shqipëri nuk përmbushet kriteri politik. “Në Shqipëri mungon institucioni mbi palët, ndërsa ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave, bllokohen prej dy vitesh në Kuvend”, tha ajo. Duke shtuar se kryesocialistit Edi Rama, nuk i interesojnë aspak rekomandimet e Bashkimit Evropian. “Shqipëria pa status, opozita përgjegjëse”, tha ajo. Ndërkaq, opozita ka dhënë votat e saj për “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport”, mes qeverisë dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i Bilishtit. Deputeti socialist, Samir Tahiri votoi kundër, për çka në sqarimin e tij kërkoi ndjesë. Por mesa duket, i dha mundësi kryeparlamentares t’i kujtojë grupit të opozitës se ende nuk ka kërkuar ndjesë që nuk e ka zhbllokuar mundësinë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Mazhoranca në parlamentin shqiptar vijon të mbajë në rendin e ditës ligjet që opozita refuzon t’i votojë, si ai për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe një sërë amendamentesh ligjore në kode të ndryshme të Republikës së Shqipërisë. Vendi ende është edhe pa Avokat Populli, i cili kërkon gjithashtu 84 vota.
...