Ramize Gjebrenë e burgosën në një haur me kafshë

Rrëfimi për arrestimin e partizanes, me akuzën e sajuar të imoralitetit. Rrëfime dhe dokumente të historianit Vasfi Baruti
Ende pa ardhur në pushtet, partizanët do të nisnin vrasjet dhe ndëshkimet brenda radhëve të tyre. Duke mos kursyer as vajza të reja dhe të spikatura, që kishin sakrifikuar gjithçka për tu bashkuar me forcat antifashiste në vitet '40.
Rasti tragjik është i Ramize Gjebresë, lindur në prill 1923, nxënëse e shkëlqyer në Institutin Femëror "Nëna Mbretëreshë" në Tiranë dhe më pas drejtuese e Rinisë, për tu vrarë në fillim të vitit 1944, që kësaj radhe është risjellë për lexuesit shqiptare, mbështetur mbi materiale arkivore nga historiani Vasfi Baruti.
Ashtu si dhe në librat pararendës kushtuar kësaj figure dhe fundit të saj tragjik, një vend i vçantë i kushtohet akuzës së ngritur ndaj Ramizesë dhe fundit të saj tragjik. "Shekulli" sjell sot për lexuesit pjesë nga libri i ri i autorit Vasfi Baruti "Ramize Gjebrea NEGA TOTUM", një titull që është thelbi i një intrige të sajuar për të eleminuar një nga figurat më të dashura të kohës së luftës antifashiste
Arrestimi, urgjencë!
Komisar Z. Hamiti urdhërohej nga komisar Besniku: ... partizanët e kuadrot e Batalionit të nisen urgjent për Ramicë, merr udhëzime nga komisari e në mungesë të tij nga Manush Myftiu. Ishte urgjencë arrestimi i Gjebresë e Zahos, kurse Gjebrea ishte me tjetër urgjencë: t'u shërojë plagët e trupit e të shpirtit partizanëve.
Në Vuno, Gjebrea e sëmurë me Anofelis, në shërbim të partizaneve të sëmura me bllokim gjymtyrë e pneoumoni të rëndë. "Ramizea ishte shumë e sëmurë, me këmbë të enjtura e tepër anemike, megjithatë me shpirt në shërbim të sëmurëve në shtëpinë tonë e në një shtëpi afër nesh, në Vuno..."
Më fliste për Danten...
Hera e fundit kur isha i plagosur, isha në shtëpi, në Vuno. Ishte java e tretë e shkurtit '44. Ramizea më recitoi pa pushim vargje nga Komedia Hyjnore e Dantes, natyrisht në italisht, që të më hiqte dhimbjet. Po shkonte mesnata..." Interesanti, me kujdesje për t'i shëruar komisarit edhe plagët e shpirtit.
Udhëheqja e brigadës ishin me shqetësim të madh: "... dy të dashuruarit e kuptuan se shokët, drejtuesit e ushtrisë ishin në dijeni", ndaj arrestimi bëhet me urgjencë "... për të evituar tradhtinë, arratisjen e tyre."
Arrestimi i Interesantit bëhej ose natën e vonë të 22 shkurtit, pasi kishte mbaruar së shkruari dy letra pune për Delegatin Xhuglini dhe presidentin Nako, e i kishte nisur me korrier partizan, ose në mëngjes herët të ditës tjetër, sepse më 25 shkurt fillonte gjyqi. Bashkëkohës rrëmijnë në memorie e rrëfejnë:
... Isha me Zahon në bazë në Ramicë. Ndoshta ishim gati për një vlonjaçe shtruar. Ia behi komisar Zenel Hamiti. Pa u ulur më thotë: Paskal, merr këtë letër dhe jepja Besnikut. Kur kthehem e zonjë e shtëpisë tha e shqetësuar: e lidhën Zahon, e çuan në komandë, te shtëpia e kunatit (a i afërt) të Hysniut.
Atëherë kuptova se komisari më largoi me qëllim të mos isha unë... Deri mëngjesin e ditës tjetër s'më mbante vëndi. U futa në një dhomë si bodrum, ç'të shihja, në një qoshe Ramizea, në tjetrën Zaho, të arrestuar. Dy partizane të armatosura që se kishin shkrepur ndonjëherë mbajnë në arrest dy gjeneralë të gjithë Vlorës, Zahon e Ramizenë!...
- Ç'ke bërë mo Zaho, turpërove Bregun. - Jo Paskal s'kam bërë turp, turpi është që i kam duart të lidhura, po partia do ketë drejtësi. - Po ti Ramize? Ramizeja në qetësi të çuditshme, si të mos kish ndodhur gjë. - Çfarë kam bërë unë o Paskal vëllai, që më ka marrë malli të këndojmë një labçe shtruar.
Kasolleburgu!
Gjebrea, e burgosur me kafshë...
Ato dhjetë ditë e net në arrest Interesanti i kaloi në një kasolle burg në shoqëri të një kafshe shtëpiake, lopë të themi! S'është metaforë, është fakt i identifikuar qartë.! Kasolle- burg me kafshe bashkë, një shpikje mister, dhe kulm mbi kulm përbuzja e poshtërim njerëzor.
Në kasolle burg! Gjebrea njohëse e kultivuar e letërsisë klasike! E ndoshta në atë kasolleburg të çuditshme ndermendte nga Hygoi Dita e fundme e një të dënuari, ama burgu i djaloshit i pakrahasushëm me kasolleburgun e Ramizesë, i pakrahasueshme e me atë brengën e djaloshit në burgun e sigurisë së lartë, me mbishkrime, vizatime, figura të çuditshme, emra që ngatërroheshin me njëri-tjetrin në muret e qelisë, dhe diç të përbashkët kishin dy të burgosurit:
"Sa e fëlliqur është politika! Për një ide, për një pikëpamje, për një devijim përfundon në atë realitet të tmerrshëm që njerëzit e quajnë giotinë. Po unë pse të ankohem, në giotinë nuk më çojnë." Merrte zemër djaloshi.
Interesanti me të njëjtin fat: Politika, sa e qelbur, vçse e tillë politika antikombëtare, antishqiptare, reflekton Interesanti, që s'mund të mos heqë paralele me personazhe nga Dostojevski, shkrimtari më i dashur, po dhe me Ferrin e Dantes i adhuruar i saj; e ç'nuk sjell në mendje kësi raste, si në film në sekuenca të sekondës kalon para syve jeta e të moçmëve Gjebrea, jeta e saj, shokët, Delegate Xhug- lini, dy letrat e fundit, 22 shkurt, që sapo i mbaroi vjen arresti, këngë dashurie me Zahon, Paskalin; Aneja, mbi të gjitha; konfliktet me Mugoshën...; dhe skenat e llahtarshme në operacionin e Dëborës në malësitë e Vunoit, majë mali Beun ku me dy kompani mbeti e rrethuar nga gjermanët e me duart e saj "varros" në borë shokët që u mori jetën egërsia e natyrës...
Kasollja burg, vrimë e zezë, me një dritë qiriri a pishe sa Interesanti sheh vetëm majën e stilografit "made in England", tek shkruan faqet e fundit të ditarit, dhe lamtumirën për nënën e saj që e deshte shumë.
Rilexon romanin "La Condanata", dhe s'mund mos i hidhte dorën e fundit numrit të revistës "Buçitja", bëhet me flatra me letrën që francezi Gastone Poire i dërgon nënës para pushkatimit
Poshtërimi, arsye çnjerëzore!
Durohet dhuna çnjerëzore, por poshtërimi njerëzor është i padurueshmë, është arsye çnjerëzore në njerëzorë. Interesanti përballë sfidave, e më e madhja: në qelinë kasolle burg në shoqëri me një kafshë që ta poshtërojnë ku i dhemb më shumë: dinjiteti, si e përjeton Gjebrea!
... E kam nga një shok që ishte ato ditë në Ramicë: për ta thyer e poshtëruar Ramizenë e mbyllën në një kasolle me bagëti, dhe nuk u thye..."
Petro Marko, vitet e para pas çlirimit:
... Ramizenë e mbyllë në haur kafshësh, me to kalonte natën, po i sfidoi gjyqtarët. Ishte Zhana Ramizeja."
Shoqe shumë e afërt shkolle në Tiranë, Musine Kokalari, dy vjet më vonë, do të përjetojë poshtërime më të zeza të shpikjes njerëzore: ... Një vit isha e izoluar në qeli natë e ditë në errësirë.
Musinea nga ç'i dhemb shpirti në burgun e errësirës do ndjehej e privilegjuar në kasolleburg si Gjebrea në shoqëri me kafshë shtëpiake; e ku i dihet ç'perlë letrare do shkruante!
Ferr shpirtëror, për të cilin mund të shkruhet si në Ferrin e Dantes: "Pritni çdo shpresë ju që këtej hyni." Dhe as Gjebrea as Musinea asesi s'u ligështuan në shpirt por sfiduan hetues të formatit neronë!
Bashkëkohës e luftëtarë me Gjebrean dhe sot tek bisedoj shoh e ndjej me dhimbje sa shumë u djeg fytyra nga turpi kur kujtojnë çaste poshtëruese tejet arsyes njerëzore, dhe ndjejnë sikur një valë lluce që u llangos fytyrën nga instikte shtazarake që ngriti poshtërimin e Gjebresë me gjasim inkuizicioni mesjetar e tejet tij!
Gjeneral Halim Ramohito që në duar dhanë frymën e fundit shokë të tij partizanë, turpërohet që i shpëton pikë loti i valë teksa kujton poshtërimin të parë të ndjerë me sytë e shpirtit...
... Ramizenë e pashë një a dy ditë para pushkatimit, të shtrirë në një dhomë të vogël të komandës së qarkut, në Ramicë, për ta pare të gjithë të poshtëruar.
E mbuluar me çull të vjetër. E pyeta në ishte sëmurë, nuk mora përgjigje, vçse një vështrim dashurie më dhuroi; nuk vura re në ishte e pranguar, si Zaho në pranga. Më mundonte mendimi se ç'mund të kishte ngjarë me Ramizenë, i tmerruar prisja ç'të kishte ndodhur, e po përjetoja më të keqen.
Dhe sot ndjehem shumë i dëshpëruar sa i pazoti isha për ta ndihmuar Ramizenë që e desha e më deshte shumë, mendoj ç'mund të bëja për komisaren shumë të respektueshme e me shumë autoritet në gjithë Vlorën.
...U futa në qarkkomandë të Brigadës, në një cep të dhomës, në gjysëm errësirë ishte shtirë Ramizeja e mbledhur grusht. I afrohem ta takoj, zakonisht na përqafonte e puthte të gjithëve ne të rinisë, dhe më qëndroi ftohtë. Nuk e di ç'u bë me të atë natë. E nesërmja nuk e di se ku më çoi.
Me arsye çnjerëzore s'kishin së ngopuri çnjerëzorët për ta parë komisaren të poshtëruar, ta poshtëronin ishte kënaqësia e kundërshtarëve politikë. Kinse lënë shtrirë në qëndërkomandë për ta parë sa më shumë partizanë që hyjnë e dalin, ta poshtërojnë faqe të tjerëve, t'i rrëmbejnë krenarinë e t'i përdhosin dinjitetin!
Të ndershmit s'kanë pse të tremben e poshtërohen, të ligjtë kanë arsye të dridhen, pse atyre u përket poshtërimi. E djajtë e kishin zënë punën me vrap!
(Vijon)