E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategji dhe fond i veçantë për veriun

Kryeministri Hashim Thaçi prezantoi sot para kabinetit qeveritar strategjinë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, e cila u tha se është në pajtim me Planin e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Thaçi tha se në kuadër të kësaj strategjie, Qeveria do të krijojë këtë vit një fond të veçantë që synon përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, strategjia jep rekomandime për katër fusha, përfshirë edhe fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e vendit.

“Strategjia e cila është punuar jep rekomandime dhe orientime për katër fushat kryesore, së pari fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, reformimin e pushtetit lokal apo decentralizmin dhe themelimin e komunës së Mitrovicës së veriut, adresimi i qeverisjes vendore në tri komunat, si dhe përmirësimi i situatës sociale-ekonomike”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.

Qeveria e Kosovës pritet të krijojë fond të veçantë me qëllim përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike në veri të Mitrovicës. “Vitin e kaluar kemi investuar rreth 8 milionë euro në atë pjesë, ndërsa sivjet mund të shkohet edhe me fond të veçantë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe që do të kemi mbështetjen e plotë ndërkombëtare”, u shpreh shefi i Ekzekutivit.

Sipas një versioni që ka rrjedhur në media, plani ka katër qëllime kryesore:

1) Qeveria e Kosovës me përkrahësit e vet ndërkombëtarë do të krijojë një komunë të re të Mitrovicës Veriore përmes zgjedhjeve që do të mbahen kah mesi i vitit 2010, nën kornizën ligjore të Kosovës;

2) Qeveria e Kosovës do të organizojë zgjedhje lokale në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kah fundi i vitit 2010, të cilat do të funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës;

3) Gjatë të njëjtit afat kohor, strukturat paralele do të margjinalizohen dhe Zyra e UNMIK’ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet.

4) EULEX’i do të forcojë praninë e vet në tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do të forcojë në mënyrë të dukshme sundimin e ligjit, me gjykata, polici dhe dogana më efikase në këtë pjesë të vendit.

Kryeministri Thaçi ka kërkuar përfshirjen e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që strategjia të ketë sukses të plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›