E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia: PS, në Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit

Nga mbledhjet e Grupit Parlamentar të PS

Opozita do të kërkojë interpretim në Gjykatën Kushtetuese për kuorumin e deputetëve në tre raundet e para.

Partia Socialiste mund ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenin 87 të Kushtetutës, që përcakton mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Burime nga Partia Socialiste pohojnë se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë saktë se cili duhet të jetë kuorumi i deputetëve në sallën e Kuvendit në tre raundet e para, kur kandidati për President duhet të sigurojë 84 vota. Në Kushtetutë, në nenin 87 të saj, pika 3, thuhet se Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Por në këtë pikë të nenit 87 nuk përcaktohet se kur seanca plenare quhet e ligjshme në tre raundet e para, kur për zgjedhjen e Presidentit kërkohen 84 vota. Sipas socialistëve, Gjykata duhet të shprehet për këtë pikë, që sipas tyre përbën një ngërç që nuk duhet anashkaluar. Sipas këtyre burimeve, nuk mundet që tre raundet e para për zgjedhjen e Presidentit të konsiderohen të ligjshme, kur në sallë ka vetëm 74 deputetë të maxhorancës, ndërsa Presidenti kërkon 84 vota. Deputetët socialistë do të presin nga Gjykata Kushtetuese që të saktësojë kuorumin e deputetëve në sallën e Kuvendit për tre raundet e para, për ti konsideruar të ligjshme edhe nga ana formale zhvillimin e tyre. Por nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë se tre raundet e para të zgjedhjes së Presidentit do të konsiderohen të ligjshme vetëm nëse në sallën e Kuvendit do të ketë të paktën 84 deputetë, minimumin e kuorumit për të zgjedhur kreun e shtetit, atëherë sipas tyre, kjo do të çonte në përzgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Kostitucionalistët
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve Gjyqësore dhe Kushtetuese, Fehmi Abdiu, i pyetur nëse ka në Kushtetutë një çështje që kërkon interpretim, u shpreh se është një problem i diskutueshëm. Ky është një problem për tu diskutuar dhe i përket si karakterit praktik, ashtu dhe atij teorik. Në vështrimin formal ngjan me rastin e interpretimit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës i bëri zgjedhjes së Presidentit të vendit, u shpreh Abdiu. Ndërsa një tjetër emër i njohur i jurisprudencës, kostitucionalisti Luan Omari, pa dashur të hyjë në detaje të çështjes, u shpreh se kjo çështje mund të kërkojë interpretim të nenit përkatës nga Gjykata Kushtetuese. Por nëse socialistët do të duhet ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese, kjo është një çështje që nuk pret shumë në kohë, duke ditur dhe afatet e papërcaktuara kohore që kjo gjykatë ka për të marrë në shqyrtim e aq më tepër, për të dhënë vendimin për këtë çështje, ndërsa Presidenti i ri i Republikës do të zgjidhet brenda muajit korrik të këtij viti. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese disa muaj para nisjes së procesit të zgjedhjes së Presidentit do të detyronte palët të binin në një konsensus mes tyre për të gjetur një emër të gjithëpranuar, si nga maxhoranca, ashtu dhe nga opozita, pasi në të kundërt, tre raundet e para të votimit do të cilësoheshin të pavlefshme nëse opozita nuk është dakord me emrin e kandidatit dhe do të mungojë në votim.

Edi Rama
Kushtetuta e Republikës dhe pse e ndryshuar, parasheh një zgjedhje konsensuale të paktën për tre raundet e para. Unë besoj se fryma e Kushtetutës është kjo, dhe nuk është vendi për të kërcitur dhëmbët e për të thënë, siç kam dëgjuar Saliun, që Presidenti do të jetë politik dhe një nga figurat kryesore të PD-së. Nga ana jonë, ne sdo të hyjmë në asnjë lloj debati emrash të përveçëm, do të propozojmë një proces. Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në këtë proces, pa kërkuar të imponojmë asnjë lloj kandidature, është shprehur kreu i PS-së.

Sali Berisha
Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryetari i ri i shtetit do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit. Garantoj se do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Çdo përpjekje për të imponuar dëshira suplementare në raport me Kushtetutën do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerët. Të bëjmë përpjekje për ti dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, me integritet të plotë, u shpreh Berisha.

Bamir Topi
Ska nevojë që ta thotë askush, sepse e kam thënë unë që nuk do të rikandidoj për një mandat tjetër; vetëm në rast se, zotërinjtë që kanë në dorë ndryshimet kushtetuese për të bërë zgjedhjen e Presidentit ashtu sikurse e meriton, nga populli. Nëse do të ketë një ndryshim të kësaj natyre, që zor se do të ketë, sepse janë vetë politikanët që i druhen verdiktit popullor, unë do të jem në garë dhe e ftoj cilindo që të jetë në garë për të marrë verdiktin drejtpërdrejt nga njerëzit e thjeshtë, nga populli, është shprehur Presidenti Topi.

Bregu: PS të mos bllokojë statusin

Majlinda Bregu

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se dje se opozita nuk duhet të bllokojë marrjen e statusit të vendit kandidat, duke shfrytëzuar zgjedhjen e Presidentit në muajin korrik. Sipas saj, nuk ka më arsye të ketë konflikt mes maxhorancës dhe opozitës. Eventi i ardhshëm politik gjatë vitit 2012 është zgjedhja e Presidentit. Presidenti i vendit, sikurse çdolloj zgjedhje tjetër, zgjedhjet parlamentare apo lokale, nuk mund të trajtohen si çështje bllokuese apo të ketë shprehje të interesave të ngushta, të cilat mund të çojnë në bllokimin e projektit madhor të shqiptarëve, sikundër është integrimi europian. Një konfliktim nuk i bën mirë vendit, e vërtetë është ana tjetër, që nuk ka asnjë arsye për tu konfliktuar më dhe nuk ka asnjë argument që opozita të bllokojë dialogun politik, u shpreh Bregu. E pyetur për marrjen e statusit të vendit kandidat, ajo tha se mundësitë reale në kalendarin e KE-së janë në qershor, ku do të mblidhen ministrat e Jashtëm ku mund të propozohet, që në bazë të zhvillimeve pozitive të arritura në Shqipëri, ti jepet statusi i vendit kandidat. Komisioni mund të marrë vendimin dhe të shprehet në tetor. Nëse KE do të rishikojë vendimin e tij në mars apo prill të këtij viti, atëherë Këshilli në qershor mund të konfirmojë vendimin e Komisionit.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›