Tadic, në Kosovë me helikopterët e NATO-s
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, bashkë me ambasadorin rus dhe atë bjellorus, të akredituar në Beograd, ndalen sot ne Kosovë. Këtë vizitë ata do ta realizojnë duke shfrytëzuar linjën ajrore dhe atë përmes helikopterëve të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë.
I pari i shtetit serb, i cili vjen me ftesë të peshkopit Teodosije, me ambasadorët Aleksandër Konuz dhe Vladimir Qushin do të marrin pjesë sot në festimin e Krishtlindjeve ortodokse në Deçan dhe ditën e shtunë ata do të jenë pjesëmarrës në Patrikanën e Pejës, ku do të mbahet liturgjia e shenjtë për lindjen e Krishtit.
Burime të gazetës në kushte anonimiteti kanë sqaruar se për të pasur siguri më të madhe, KFOR-i ka angazhuar helikopterë, të cilët do të bëjnë transportimin e personaliteteve nga Beogradi dhe të cilët do të vëzhgojnë situatën nga qielli në tërë Kosovën e kryesisht në regjionin e Dukagjinit.
Të njëjtat burime kanë sqaruar se KFOR-i së bashku me EULEX-in do të përkujdesen për sigurinë e afërt të presidentit serb, i cili edhe këtë vit është zotuar se do të vijë për të dhënë deklarata religjioze dhe jo politike.
Policia e Kosovës në anën tjetër do të përkujdeset për sigurinë e përgjithshme në vend. Kjo e fundit bashkë me KFOR-in e EULEX-in gjatë të enjtes kanë dhënë pak informacione në lidhje me planin e veprimit për të pritur presidentin e Serbisë.
Janë çështje të sigurisë dhe nuk mund të komentoj se cili do të jetë roli i KFOR-it, por sido që të jetë KFOR-i është i gatshëm që të kontribuojë në siguri për të gjithë, ka thënë shkurt zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Uve Nowicki.
EULEX në anën tjetër ka konrmuar se për pritjen e presidentit Tadic ka plan të përbashkët veprimi me KFOR-in e Policinë e Kosovës. Përfshirja e misionit në lidhje me vizitën e Tadicit është e kuzuar në dy aspekte, atë të sigurisë dhe të transportit. Ky është një operacion i përbashkët i EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.
Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit Baki Kelani, lidhur me vizitën e paralajmëruar të presidentit serb Tadic ka përgatitur urdhrin operativ për të ofruar siguri dhe për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike përderisa personaliteti dhe delegacioni i tij do të qëndrojnë në territorin e Kosovës.
Do të bëhet shtimi i masave mbrojtëse dhe të sigurisë përgjatë lokacioneve ku pritet të vizitohen nga delegacioni në fjalë, ka njoftuar Kelani ndonëse një ditë më parë Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, kishte thënë se në adresë të organeve të rendit të Kosovë nuk ka ardhur ndonjë kërkesë për tu siguruar ardhja e presidentit Tadic.
Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, duke u bazuar në përvojën e viteve të kaluara kur në ceremoni fetare Tadic në Kosovë ka dhënë deklarata politike, kanë thënë se nuk i besojnë zotimeve të dhëna nga Tadic. Për këtë arsye ata kanë konrmuar të enjten se janë duke punuar për planin se si do tia bëjnë pritjen presidentit serb Tadic. (Zeri)