E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e LSI-së, Meta rikthehet në bazë

Disa muaj pas përfshirjes në qeveri, Ilir Meta i rikthehet elektoratit të partisë së tij. Mësohet se kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ideuar një tur takimesh me bazën që nisën me Beratin dhe Çorovodën ditën e shtunë, për të vijuar dje në Elbasan. Grafiku vazhdon me Fierin dhe Lushnjën gjatë kësaj jave, por edhe takime me struktura vendimmarrëse siç është KDK e Lëvizjes Rinore për Integrim. Turi ka për qëllim që të shpjegojë vendimin e kësaj partie për të bashkëpunuar dhe qenë pjesë e qeverisë "Berisha", por nga ana tjetër edhe renditjen e sukseseve të muajve të parë të qeverisë dhe objektivave që i presin. Gjithçka duket se do të kryhet në kuadër të një sfide tjetër elektorale mjaft të rëndësishme, zgjedhjet lokale. Sipas aktmarrëveshjes të nënshkruar në muajin shtator mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, në zgjedhjet lokale do të ketë një marrëveshje, edhe pse ky bashkëpunim me terma optimistë, sipas deklarimeve të të dyja palëve mund të shkojë përtej 2013-ës, në zgjedhjet e përgjithshme. Vendimi i bashkëpunimit, siç ka pohuar edhe Meta, nuk ka qenë i lehtë. Një pjesë e elektoratit nuk e ka kuptuar mirë këtë kapërcim të Ilir Metës, ndaj kreu i LSI-së, për të mos qenë kurrë vonë, ka vendosur t‘u rikthehet takimeve me bazën kur do të sqarojë pozicionin e partisë që drejton.

"LSI, si një forcë qeverisëse dhe në një koalicion për integrim, do të tregojë se është një forcë politike serioze, e cila çdo vendim të sajin e bën në funksion të interesave të stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit, të zhvillimit e sidomos të integrimit europian", deklaroi Meta në takimin që pati dje me strukturat e partisë në Elbasan. Duke u ndalur tek arritjet e qeverisë shqiptare për sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, Meta deklaroi se "në një kohë të shkurtër mendoj se kemi disa arritje të rëndësishme, në radhë të parë miratimin nga ministrat e Jashtëm të BE-së, ratifikimin e Shqipërisë për anëtarësim gjatë muajit nëntor, si dhe pak ditë më parë dorëzimin e pyetësorit nga ana e KE-së për Shqipërinë, si një ushtrim shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë për të fituar statusin e vendit kandidat dhe njëkohësisht për të filluar negociatat për anëtarësim në një të ardhme të afërt në BE". Meta përshëndeti gjithashtu fqinjët tanë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, për liberalizimin e vizave në BE, duke thënë se "të gjithë do të donim që Shqipëria ta kishte fituar me këto vende këtë të drejtë tepër legjitime, por, sipas tij, asnjë nuk duhet të spekulojë, sepse të gjithë e kanë ditur përpara zgjedhjeve se Shqipëria nuk do ta fitonte liberalizimin e vizave në të njëjtën kohë me këto tri vende, sepse ky vendim ishte marrë prej kohësh, që këto tri vende, këtë proces do ta fitonin në fund të vitit". Në këtë kuadër, kreu i LSI-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të pajisen me pasaporta biometrike, duke deklaruar se "në këto katër muaj është bërë një proces spektakolar me arritjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Janë 300 mijë pasaporta biometrike që janë prodhuar". Meta shprehu bindjen se gjërat po ecin në rrugën e duhur,

ndërsa retorikat boshe që nuk sjellin asnjë alternativë janë thjesht spekulime të rëndomta. "Jam i bindur, vijoi Meta, se gjërat po ecin në drejtimin e duhur, dhe është detyra jonë edhe e PD-së si forcë kryesore qeverisëse, për të mos rënë në nivelin e provokimeve të disa përfaqësuesve të opozitës, sepse ata i kanë vënë qëllim vetes për të mbajtur një situatë artificiale konflikti, dhe ky konflikt nuk ekziston mes qytetarëve të vendit tonë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›