E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Procesi u manipulua.

Vetëm 24 orë pasi ka mësuar zyrtarisht "përjashtimin" e tij nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ka shpërthyer në akuza publike. Biberaj konstaton se vota fatkeqësisht nuk është numëruar, ndërsa procesit të numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar i ka munguar totalisht transparenca, gjë që përbën edhe një cenim të rëndë të themelit të demokracisë, për të mos thënë që manipulimi dhe falsifikimi i votës shënon edhe fundin e demokracisë". Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaron se ajo çka tha Biberaj është mentalitet delirant. Noka këmbëngul se procesi ka qenë tërësisht transparent dhe se kushdo, përfshirë edhe Biberajn, mund të verifikojë kur të dojë votat.

Akuzat

Fatkeqësisht në PD, sipas Biberajt, "çdo ditë e më shumë po mbytet fryma intelektuale dhe ajo qytetare, fryma e debatit po zëvendësohet me atë të nënshtrimit dhe të servilizmit ekstrem, fryma e bashkëpunimit po zëvendësohet me atë të klanit dhe të spastrimeve, apo përjashtimeve politike, vendimmarrja kolegjiale po zëvendësohet nga vendimmarrja klienteliste dhe autoritariste e UNI-t, vlerat po zëvendësohen nga antivlera; fenomene këto tepër negative që po dëmtojnë rëndë të ardhmen e PD-së, por edhe po shuajnë gradualisht traditën, kontributet dhe vetë historinë pozitiviste të PD-së". Biberaj u shpreh se po vazhdon të analizojë situatën e sëmurë rëndë në PD, duke shprehur njëkohësisht edhe bindjen e tij se nuk mund ta nxjerrë nga politika një klikë të korruptuarish që padrejtësisht ka marrë në zotërim PD-në. Duke gjykuar se ka humbur një betejë, por jo luftën, Biberaj konkludon se nuk ka gjë më fisnike, qytetare dhe patriotike sesa të luftosh për parimet dhe idealet e lirisë dhe të demokracisë dhe se ndjehet po aq i motivuar sa edhe më 8 dhjetor të vitit 1990.

Reagimi

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi dje për "Shqip" se "demokracia nuk fillon dhe as nuk mbaron me mua apo me zotin Biberaj". Me akuzat ndaj procesit zgjedhor, vijon Noka, ish-deputeti demokrat ka përbaltur besimin e demokratëve. "Demokracia, bazën e funksionimit ka votën. Ai që nuk pranon institucionin e votës tregon se nuk ka njohuri të sakta mbi demokracinë dhe votën", tha Noka. Sipas tij, të parashikosh apriori votën, që në këtë rast është e mundshme të verifikohet, do të thotë se gjithçka ke thënë për demokracinë dhe votën janë broçkulla. "Demokracia në parti nuk ka lidhje me emrat e veçantë. Sot jam unë, dje ishe ti. Nesër do jesh ti, s‘do jem unë. Demokracia vazhdon gjithsesi. Tendenca për të poshtëruar vullnetin e votuesve tregon për një mentalitet delirant", theksoi Noka. Në vlerësimin e sekretarit organizativ të demokratëve, të gjithë kishin mundësi që më 14 dhjetor, duke i thirrur koshiencës, ndërgjegjes dhe vetëdijes politike të përzgjidhnin ekipin që do t‘i bashkëngjitet kryetarit në mandatin e ardhshëm. "Ne jemi të hapur për çdo kontestim nga secilido që ka marrë pjesë në garë. Por, është e turpshme çdo analizë, shpifje apo trillim që frymëzohet nga delire apo paragjykime që ekzistojnë në kokën e kujtdo. Të flasësh për votën e lirë në një parti do të thotë të kesh respekt për veten, atë që thua, dhe për institucionet e partisë. "Zoti Biberaj, para se të sulmojë partinë që deri dje thoshte se i besonte dhe mbronte, duhet të kontrollonte votën", nënvizon Noka. Në këtë proces, sqaron ai, u numëruan votat një më një. "Kushdo individ mund ta verifikojë votën, por verifikimi nuk mund të bëhet duke sharë e qarë, por ka rrugë institucionale", tha Noka. Ai këmbënguli në idenë se nuk mund të mendohet se "demokracia nuk është funksionale kur fitoj dhe ajo vdes kur unë nuk fitoj". Në vlerësimin e Nokës, këto janë mendësi të vjetra dhe të hedhura tutje.

D.Malaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›