E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu, "në pushtetin" e dëborës

Stuhitë e dëborës dhe akulli kanë izoluar Veriun e vendit. Rrugët nacionale kanë vazhduar të kenë probleme, ndërkohë që komuna të tëra vazhdojnë të mbeten të izoluara. Në qytetin e Kukësit stuhitë e dëborës kanë thyer edhe degët e pemëve, ndërsa dje pasdite moti është keqësuar dhe stuhitë e dëborës e kanë përfshirë të gjithë Qarkun e Kukësit. Në segmentet problematikë të Qafë Shllakut, Shën Mërisë, Qafë Malit etj., dhjetëra automjete kanë qëndruar të bllokuar deri në orët e vona të së shtunës ku janë nxjerrë nga akulli me ndihmën e fadromave duke hedhur kripë dhe skorje. Burime të policisë lokale tregojnë se shkak për bllokimin e rrugës kanë qenë kamionët e tonazhit të rëndë, të cilët, edhe pse u është bërë presion nga këta të fundit, pra nga policia të mos ndërmarrin udhën e Qafës së Malit, përsëri kanë udhëtuar, duke shkaktuar bllokimin e rrugës. Rreth 50 automjete nga Kosova janë detyruar të kthehen mbrapsht për shkak të bllokimeve në rrugë për shumë orë, para se të arrinin Qafën e Malit pas së cilës mendohet se gjithçka është më e lehtë. Ndërkaq mbrëmjen vonë të së shtunës, nën drejtimin e prefektit të Kukësit, Elez Maçi, është zhvilluar në prefekturë mbledhja e Shtabit të Emergjencave Civile, ku është raportuar për gjendjen e krijuar. Drejtori i Rrugëve Rajonale, Rushit Gashi, ka sqaruar se mbeten problematike Qafë Shllaku, Shën Mëria etj., ku po punohet me borëpastruese, por reshjet e dëborës mund të vështirësojnë situatën në ditët në vazhdim. E njëjta situatë paraqitet dhe në Qarkun e Shkodrës. Të gjitha rrugët rurale të fshatrave në komunat e Kelmendit, Shkrelit në Malësi të Madhe dhe ato të Shalës, Shoshit, Pultit e Shllakut në Shkodër kanë vazhduar të jenë plotësisht të bllokuara. Të bllokuara totalisht janë Qafa e Thores që lidh Malësinë e Madhe me Dukagjinin, Mali i Shoshit që lidh Dukagjinin me Shkodrën dhe Qafa e Bordolecit që lidh Vermoshin me pjesën tjetër të vendit. Ndërkaq të gjitha rrugët nacionale në zonat malore të Qarkut Shkodrës paraqesin vështirësi kalimi dhe janë në prag bllokimi për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Në Dibër akset nacionale kanë qenë të kalueshme, por me shumë vështirësi. Autoritetet vendore janë përpjekur ta mbajnë situatën nën kontroll, megjithëse komuna të tëra vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga dëbora që ka arritur deri në 40 centimetra trashësi. Ndërkaq në juglindje të vendit, situata ka qenë disi më e qetë. Burime nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë Prefektit të Qarkut të Beratit thanë dje për gazetën se rrugët nacionale janë plotësisht të kalueshme, por mbeten problem gjashtë komuna të Rrethit të Skraparit, të cilët mbeten të bllokuara nga dëbora. Sipas njoftimeve nga Nënprefektura e Skraparit, janë marrë masa për vënien në punë të të gjitha mjeteve të rënda për pastrimin e rrugëve rurale dhe asaj nacionale Berat-Çorovodë, ku kjo e fundit ka funksionuar normalisht gjithë ditën. Ndërsa në Elbasan, informacionet e ditës së djeshme japin një situatë disi normale në akset rrugore kombëtare Elbasan-Tiranë nga Qafë Kërrabë dhe Elbasan-Qafëthanë-Pogradec. Sipas policisë rrugore asnjë mjet nuk është lejuar të kalojë pa u pajisur me zinxhirë në këto dy pika problematike malore, pasi reshjet e dëborës, edhe pse nuk kanë krijuar shtresa ngjitëse, kanë krijuar vështirësi në lëvizje. Nga ana tjetër, Ndërmarrja e Rrugëve Rurale në Elbasan, që para tri ditësh ka furnizuar me qymyr dhe kripë shumë pika kalimi malore duke i paraprirë situatave të pritshme me ngrica. Sipas kreut të rrugëve rurale në Qarkun e Elbasanit, Mehmet Ashiku, të gjitha akset rurale janë të kalueshme dhe nuk ka pasur bllokim rrugësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›