Dubai dhe kulla e famshme Burj Dubai
Pamja është e qartë, ajri është i pastër e i freskët dhe deti e toka duken si të shkrira në një realitet të vetëm. Kufiri mes të zakonshmes dhe madhështores nuk ekziston në majën e kullës më të lartë në botë, Burj Dubai. Përreth vjen erë boje, llaku, lëkure e saposhtruar. Në dysheme gjenden gjurmët e këmbëve që kanë hyrë e dalë këto kohët e fundit në majën e kullës. Sigurisht bëhet fjalë për vizitorë të zgjedhur që preferojnë ta shijojnë të parët pamjen e mrekullueshme nga maja e kullës, që ende nuk i ka çelur dyert për publikun. Në juglindje duket ishulli artificial i konceptuar në formën e një palme, ndërsa diku më tutje në veri shtrihet arkipelagu sërish artificial, që ngjan me hartën e botës. Këtu jemi në majën e njërës prej veprave arkitektonike më të jashtëzakonshme të kohës sonë dhe jo vetëm për sa u takon përmasave. Tashmë ajo lartësohet në një vend të përfshirë nga kriza dhe frika e investitorëve të shumtë për fatin e parave.
Dubai, si rrallë vend në botë, simbolizon globalizmin, novacionin dhe progresin e madh brenda një kohe të shkurtër. Të paktën kështu u shpreh Presidenti amerikan, Obama, në fjalimin e tij të mbajtur në Kajro të Egjiptit në qershor. Por njëherazi ai është simbol edhe i eksesit të jashtëzakonshëm dhe i teprimit të pafre. Në Dubai utopitë ngjajnë thuajse të vërteta dhe realiteti shpesh të shfaqet me pamjen e një mirazhi. Megjithatë, për sa i përket kullës kemi të bëjmë me një realitet fund e krye. Ajo ka 160 kate të banueshme dhe është plot 818 metra e lartë. Turistët duhet të gjunjëzohen në trotuare për të fiksuar një pamje të plotë të kullës në aparatet e tyre. Burj Dubai është aq i lartë sa beduinët mund ta shquajnë atë nga oazet e tyre që ndodhen 100 kilometra larg në shkretëtirë, ndërsa detarët, ditëve të dimrit, kur ajri është i pastër kristal, mund ta shquajnë nga disa kilometra larg. Ajo është aq madhështore sa temperatura e ajrit në majë të kullës është 8 gradë më e ulët nga ajo në katin e parë të saj. Por, për ngritjen e kësaj mrekullie dhe mrekullive të tjera përreth ka punuar pa pushim një ushtri e tërë punëtorësh emigrantë nga India, Pakistani dhe Bangladeshi. Pikërisht kjo ushtri përbën edhe një të tretën e banorëve të Dubait dhe ajo mori pjesë edhe në ndërtimin e Burj. Vetëm një në pesë rezidentë të Dubait ka pasaportë të Emirateve të Bashkuara, të tjerët janë nga të katër anët e botës. Kjo mrekulli arkitekturore ka shumë pjesë të veshura me metal të çmuar, kryesisht me argjend dhe për këtë arsye ruhet natë e ditë jo vetëm nga një sistem shumë i sofistikuar, por edhe nga një ushtri e tërë rojash e menaxherësh të kudondodhur. Ata që lejohen të vizitojnë kullën, apo qoftë edhe të vënë këmbën në të, janë të detyruar që më parë të nënshkruajë një marrëveshje me terma shumë të qarta dhe të sakta, të cilat nëse shkelen kanë një dënim të madh. Kjo situatë do të vazhdojë edhe për një ose dy javë të tjera, pasi më 4 janar të vitit 2010, që është edhe data zyrtare e çeljes së kullës, datë që ka ndryshuar disa herë tashmë, të gjithë shpresojnë që kulla do të hapë dyert e saj për njerëzit që do të duan ta vizitojnë. Dhe kur kjo të ndodhë, do të jetë një nga pikat më të frekuentueshme për turistët dhe për biznesmenët jo vetëm të Dubait, apo Emirateve të Bashkuara, por të të tërë zonës. Nga ana tjetër, do të jetë inaugurimi ndoshta i projektit të fundit të stërmadh në këtë vend, duke qenë se në qiellin e tij kanë nisur që të grumbullohen re të zeza. Kjo, sepse, siç ndodh shpesh me shkretëtirën, moti mund të qëllojë që të prishet brenda një kohe të shkurtër dhe krejt papritur. Kështu, një ditë të bukur sheiku tha se nuk kishte më para për momentin për të mbuluar pagimin e shpejtë të borxheve, çka shkaktoi një rënie të menjëhershme të bursës dhe aksioneve me 6%. Të rrallë janë ata që mendojnë se "Dubai Wold", kompania shtetërore që praktikisht kontrollon gjithë situatën në vend dhe atë të investimeve, do të jetë në gjendje që të rifinancojë borxhin prej 26 miliardësh brenda 6 muajve të ardhshëm, sikundër janë afatet. Banka amerikane, "Morgan Stanley", parashikon një tjetër rritje drastike të borxhit gjatë muajve të ardhshëm. Sipas një gazete të famshme amerikane, brenda një viti Dubai u shndërrua nga tregu më i mirë dhe fitimprurës i pasurive të patundshme në më të keqin dhe më të rrezikshmin e botës. A mos vallë kjo ndodhi ngaqë Dubai mori shumë më sipër nga sa kishte realisht taksat? A mos vallë ky vend, që u shndërrua në një vend imazh për globalizmin dhe shkrirjen mes Lindjes e Perëndimit, ishte një model që nuk duhej ndjekur? Megjithatë, për sa i përket fundit të aventurës së ëndrrës së Dubait, është ende shumë shpejt për të dhënë verdiktin përfundimtar. Të paktën ky është mendimi i sheikëve, të cilët do të shfaqen në pamjen e tyre më të mirë gjatë ceremonisë së inaugurimit të kullës. Ndaj ky eveniment është shumë më i rëndësishëm në vetvete dhe përfaqëson shumë më tepër se inaugurimi i një kulle të thjeshtë.
Për sa i përket ndërtimit në vetvete, bëhet fjalë për një strukturë relativisht të thjeshtë arkitekturore, që së brendshmi ndjek linjën e një spiraleje të xhamisë, por sigurisht kjo bëhet në mënyrë shumë fine dhe të stërholluar, saqë nuk bie menjëherë në sy. Një nga gjërat më të vështira të ndërtimit të kullës ishte logjistika e saj, sepse për 5 vjet e gjithë ushtria e madhe e makinave dhe e materialeve duhet të ishte e gatshme dhe në punë për 24 orë gjatë gjithë ditëve të javës. Në koordinimin e gjithë këtyre punëve ishte një inxhinier gjerman. Në vitin 2004, rreth 2000 persona nisën aventurën duke ngritur njërin kat pas tjetrit dhe duke përfunduar një kat brenda harkut kohor të një jave. Kur nisi faza e mobilimit të ambienteve të brendshme në vjeshtën e vitit 2009, për projektin e brendshëm u vunë në punë 14 mijë veta nga 45 vende të ndryshme, që flisnin 35 gjuhë. Të gjithë së bashku kryen një total punësh prej 95 milionë orësh pune, pjesa më e madhe e të cilëve kanë marrë rroga qesharake. Një zdrukthëtar merrte 12 dollarë në ditë, ndërsa punëtorët e ngarkim-shkarkimit shumë më pak. Komponentët e fasadës u sollën nga Kina, mermerët nga Italia dhe parmakët erdhën nga Brazili. Kulla e Dubait i ka kaluar tashmë të gjitha superlativat në historinë e ndërtimeve moderne. Ajo ia ka kaluar Kullës së Tajpeit që ka qenë kulla më e lartë e banuar në botë, si edhe asaj të Torontos. Ajo ka sjellë një rekord botëror në Lindjen e Mesme, çka nuk kishte ndodhur që në kohët e Piramidës së Gizës, e cila është 138 metra e lartë dhe që ka qenë struktura më e madhe e ndërtuar nga njeriu, para se të kalohej nga Katedralja e Linkolnit në Angli në vitin 1311, që ishte 160 metra e lartë. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe për Dubain nuk parashikohej asnjë rrezik. Madje as kriza financiare që shkatërroi perandori të mëdha nuk e preku vendin e çmuar të Emirateve. E, megjithatë, sipas specialistëve ishte çështje kohe para se Dubai të shfaqte problemet e mëdha që i kishte fshehur thellë, e që përbënin një kaos e rrëmujë ndër më të mëdhatë e botës së sotme. Sipas një filozofi gjerman, megalomania duket se në rastin e Dubait fluturoi e u zhvendos nga mendjet e njerëzve te strukturat e gurta. Tashmë sistemi është më i çmendur se vetë njerëzit. Ja përse ne qeniet njerëzore jemi tmerrësisht të zhgënjyer nga kursi që ka marrë kriza. Për sa i përket sheikut Mohhamed, ai ka plotësisht të drejtë që ta konsiderojë shumë të rëndësishëm ditën kur do të inaugurohet kryevepra e tij, sepse në atë ditë ai duhet të shtrëngohet të shprehet optimist dhe me besim se do t‘i kalojë vështirësitë. Por ai nuk është i vetmi që ka pasur dhe ka ide madhështore e shpesh megalomane ndërtimesh të jashtëzakonshme. Një tjetër sundimtar që e ka fiksim ndërtimin e qyteteve dhe ndërtesave të mëdha është edhe sundimtari i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, i cili ka ndërtuar Astananë, një qytet i tëri monumental, me harqe triumfi, piramida dhe godina gjigante prej xhami, në krye të të cilave është imazhi i kultit të individit, vetë presidentit, që është shndërruar në zot. Në xhunglën e Burmës, gjeneralët diktatorialë kishin një kryeqytet të tyrin krejt absurd, Naypyidau, apo "Vendi i Mbretërve". Yamoussoukro, kryeqyteti i Bregut të Fildishtë, një vend i ndërtuar nga ish-presidenti Felix Houphouet, është pranë rrënimit. Qyteti është i mbushur me godina gjigante, por në to nuk gjenden njerëz.