Strategjia e Transportit 2030 fokus në integrimin në TEN-T, investimet 7.9 miliadë euro

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Plani i Veprimit 2030, të hartuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë nxjerrë për konsultim publik, si dokumentet kryesore që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të sektorit të transportit në përputhje me prioritetet kombëtare dhe procesin e integrimit evropian.
Dokumentet synojnë ndërtimin e një sistemi transporti modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm, duke përmirësuar lidhshmërinë, rritur eficiencën ekonomike dhe garantuar akses më të mirë për qytetarët dhe bizneset, në linjë me standardet e Bashkimi Evropian.
Objektivat kryesore përfshijnë përafrimin me acquis të BE-së, zhvillimin e infrastrukturës dhe integrimin me rrjetin TEN-T, promovimin e lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe multimodale, rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe koordinimit ndërinstitucional.
Sipas relacionit shpjegues, dokumenti synon përshpejtimin e integrimit në rrjetin TEN-T, forcimin e zbatimit të legjislacionit të BE-së dhe përmirësimin e planifikimit dhe monitorimit të investimeve në sektor.
Strategjia dhe Plani i Veprimit parashikojnë një program të gjerë investimesh në infrastrukturën e transportit, me një kosto të vlerësuar rreth 7.9 miliardë euro për periudhën 2026-2030, të mbështetura nga buxheti i shtetit dhe financime ndërkombëtare.
Procesi i konsultimit publik synon mbledhjen e komenteve dhe sugjerimeve nga grupet e interesit, përpara kalimit për miratim në Këshillin e Ministrave. /j.p/