Sejko dhe Malaj, takim me shefin e ri të misionit të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko si dhe ministri i Financave, Petrit Malaj u takuan sot me shefin e ri të Misionit të Fondi Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, në Uashington.
Gjatë takimit, Sejko dhe Malaj prezantuan një analizë të situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe projeksionet për zhvillimet në të ardhmen.
Ata informuan se ekonomia shqiptare vijon të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje, e mbështetur nga një treg pune i fortë, inflacion i ulët dhe një sistem financiar i shëndetshëm.
Megjithatë, ata theksuan se pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar, veçanërisht zhvillimet në Lindjen e Mesme, mbeten faktorë që kërkojnë vëmendje të shtuar në vlerësimin e rreziqeve.
Gjatë diskutimeve u nënvizua rëndësia e politikave të kujdesshme makroekonomike, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, forcimin e qëndrueshmërisë financiare dhe uljen graduale të borxhit publik.
Gjithashtu u theksua se politika monetare do të vijojë të mbetet e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve, duke u bazuar në zhvillimet e reja ekonomike dhe vlerësimin e rreziqeve në tregjet ndërkombëtare. /j.p/
1 nga 3