Strategjia e integrimit të veriut,opozita nuk është ftuar
“Unë i kam ftuar edhe partitë e opozitës që të jenë pjesë e grupeve punuese, në mënyrë që ky projekt të na bashkojë të gjithëve dhe as sesi të mos pretendohet të politizohet dhe të jetë një sukses i përbashkët”, deklaroi Hashim Thaçi të premten. Por, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë se AAK-ja nuk ka marrë asnjë ftesë nga kryeministri dhe as nga Qeveria.“Nuk kemi marrë ftesë, as nuk e kemi marrë strategjinë dhe asnjë dokument që ka të bëjë me këtë strategji nuk e kemi marrë nga Qeveria e Kosovës dhe as nga kryeministri Thaçi”, thotë Arifi.Të njëjtën gjë konfirmon dhe nënkryetari I Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makoli.Ai nuk e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes së AKR-së në grupet punuese për zbatimin e strategjisë për veriun, por, sipas tij, qasja aktuale e kryeministrit dhe ftesa përmes mediave dhe jo përmes kontakteve të drejtpërdrejta me opozitën, duhet të rishikohet para se kryeministri të shpresojë të marrë një përgjigje pozitive.