E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndez debat dëshira e marrëdhënieve të Kosovës me OKB-në

Që nga shpallja e pavarësisë pesë vjet më parë, Kosova ka siguruar njohje nga 98 vende anembanë botës, duke përfshirë rreth 50 përqind të vendeve anëtare të OKB-së. Qeveria e ka kthyer fokusin e saj në mbledhjen e njohjeve nga Afrika e veriut e vende të tjera islamike, si dhe të përparojë marrëdhëniet e saj me OKB-në.

Disa zyrtarë dhe ekspertë thanë se vendi duhet të presë për të forcuar marrëdhëniet e tij me OKB-në derisa Rusia e Kina të mos kërcënojnë të përdorin veton e tyre kundër Prishtinës, ndërsa të tjerë thanë se Kosova duhet të bëjë kërkesë për t'u bërë një vend anëtar vëzhgues.

Skënder Hyseni, ish-ministër i jashtëm dhe deputet i tanishëm, tha për SETimesse do të ishte një gabim strategjik për Kosovën të bënte kërkesë për një status vëzhguesi të OKB-së.

"Eshtë më mirë të mos bashkohesh me OKB për 10 ose 15 vjet, sesa të bashkohesh më parë si një vëzhgues, sepse Kosova [do të] hidhej në grupin e atyre vendeve me një gjysmë identiteti," tha Hyseni.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB varet më së shumti nga qëndrimi i anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, tha ai.

"Edhe në qoftë se [Kosova] kishte 190 njohje ... Rusia e Kina prapë teknikisht kanë mundësinë t'a bllokojnë procesin e anëtarësimit," tha Hyseni.

Fisnik Gashi, kërkues në Institutin për Studime Politike dhe Evropiane, tha për SETimesse Kosova duhet të shmangë çdo veprim që do të ndezë një reagim negativ nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
"Diplomacia e Kosovës duhet të punojë në dy fusha: rritja e numrit të njohjeve dhe zgjerimi i bashkëpunimit me vendet me fuqi vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së," tha Gashi.

Hyseni tha se Ministria e Jashtme e Kosovës ka nevojë për një strategji të politikës së jashtme.
"E them me keqardhje se në fushën e njohjeve për Kosovën, diplomacia e Kosovës në dy vitet e fundit ... ishte pranë dështimit," tha Hyseni.
Por Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj nuk ishte dakort.

"Gjatë vitit, ministria e jashtme pati një rend të ditës të matshëm," tha ai për gazetarët. "Duke u mbështetur në këtë rend dite, bëmë përpjekje maksimale gjatë vitit për të paraqitur interesat e Kosovës, për të paraqitur interesat tona politike, jetën ekonomike e kulturore në çdo pjesë të botës dhe natyrisht për të paraqitur interesat e shtetasve të Kosovës."
Gashi tha se veprimet e Kosovës në politikën ndërkombëtare do të varen shumë nga zhvillimet e brendshme.

"Mendoj se Kosova duhet të përqendrohet në krijimin e shtetit funksional, të qëndrueshëm e të pandërprerë në të gjitha fushat e të përdorë të gjitha këto arritje për të gjetur mbështetje për proceset e integrimit dhe anëtarësimit të tij në mekanizma të ndryshme," tha Gashi.

Albin Kurti, udhëheqësi i Vetëvendosjes e kryetari i Komitetit Parlamentar të Politikës së Jashtme, ishte dakort. "Sa më shumë ministria e jashtme u përqëndrua në pjesëmarrjen në organizata e forume ndërkombëtare, [kishim] mbetur pa fjalën kryesore 'republika'," ka thënë Kurti.

Zyrtarë ndërkombëtarë hynë gjithashtu në debat.

Ambasadori gjerman në Serbi Heinz Vilhelm tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB është një nga çështjet që duhej të diskutohet në Bruksel.

"Çështja është shumë e rëndësishme për ne, por nuk mund të them për tani në qoftë se do të ishte vendimtare për dhënien e datës. Do të presim së pari për një vendim të Komisionit Evropian e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme]Kethrinë Eshton mbi përparimin në dialog," tha Vilhelm për B92 me qendër në Beograd. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›