E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e zvarritjes

Nga Albi Xhunga

Të gjitha çështjet që përlyejnë qeverinë Berisha zvarriten pa fund dhe kjo sigurisht që sështë rastësi. Rasti më i fundit janë Zgjedhjet Lokale.

Pas skadimit të afateve hetimore për ministrin Lulëzim Basha, i cili akuzohej për vjedhje miliona eurosh nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e deklaroi çështjen të mbyllur falë një gabimi të Prokurorisë. Nëse gabimi ishte gabim, apo Prokuroria la enkas të kalonin afatet, këtë smund ta dimë. Ajo çka ne dimë mirë është se ministri Basha as që u përpoq të provonte pafajësinë në gjykatë, sikundër edhe pretendonte të ishte. Ky ministër ka ende të hapur çështjen e 21 janarit, por mesa duket afatet sërish mund të mos respektohen.

Telenovela e gjyqit të Gërdecit vazhdon. Edhe pse i fokusuar mjaftueshëm në media, askush nuk skuqet për këtë zvarritje. Të akuzuarit u liruan për tejkalim të afateve ligjore, por sërish vazhdojnë të shtyhen seancat. Me çqëllim mund të pyesë dikush? Përgjigje e thjeshtë; ngjarje të reja ta largojnë atë nga vëmendja e publikut. Ndërsa i akuzuari kryesor, ministri Fatmir Mediu iu shmang drejtësisë pasi u rizgjodh deputet dhe fitoi imunitet të ri. Pas deklaratave të tij për pafajësi natyrshëm të lind një pyetje: Pse zotëria zgjodhi të fshihej pas imunitetit përderisa qenka i pafajshëm?

Pas ministrave Basha e Mediu, tani është radha e Ilir Metës të shmangë drejtësinë me anë të pretendimit për veprime të kundraligjshme të Prokurorisë, pasi edhe këtu kemi shkelje të afateve. Përveç kësaj, mbrojtja kërkoi që provat e prokurorisë të konsiderohen të pavlefshme, pasi videoja është marrë në mënyrë të kundraligjshme. Ilir Meta deklaron se procesi ndaj tij është politik dhe ka pasur si qëllim goditjen e partisë së tij në zgjedhjet lokale. Ai tregon dhëmbët, duke thënë se në gjyqësor duhet të bëhet reformë dhe se kjo duhet bërë veçanërisht në organin e prokurorisë. Për këtë në fakt ka të drejtë, vetëm se reforma duhet bërë më mënyrë që nga drejtësia të shporren ata gjyqtarë e prokurorë burracakë që kanë frikë nga kërcënime të këtij lloji. Por Ilir Meta thotë që mbi të gjitha ai është fare i pafajshëm. Atëherë pse nuk e provon këtë përpara shqiptarëve? Pse kërkon të shmanget me anë të pretekstit të afateve?

Rasti më i fundit është zvarritja e rezultatit të Zgjedhjeve Lokale për Tiranën. Kemi fitoren e Ramës më 10 vota. Pastaj nis telenovela, nga KQZ në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit dhe sërish në KQZ. Sipas të gjitha gjasave pas këtij numërimi të pistë dhe të pakuptimtë në KQZ do kemi një tjetër ankimim në Kolegj. Natyrisht që e gjithë kjo zvarritje nuk është e rastësishme. Qëllimi është lodhja e opinionit publik dhe largimi i vëmendjes nga masakra e KQZ.

Por më e keqja nga të gjitha është fatura që duhet të paguajnë shqiptarët. Përveçse nuk gëzojnë më të drejtën e votës, pasi Sali Berisha po tregon çdo ditë e më shumë se vota nuk është një alternativë kundër tij, shqiptarët duhet të paguajnë faturën e stopimit të integrimit të vendit në BE. Por zvarritja e çështjeve të tilla largon gjithashtu vëmendjen nga kriza ekonomike që po pllakos në vend.

Deri kur do durojë ky popull???

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›