E Diel, 1 Nëntor 2026

Coli: Paguam 80 mijë euro dy kosovarë për të vrarë Berishën, dështuam



Adriatik Coli vijoi dëshminë e tij për tentativat e dështuara të grupit të drejtuar nga Indrit Dokle, pas vrasjes së Klodian Saliut, për vrasjen e Lulzim Berishës, të cilin e akuzonin se kishte urdhëruar vrasjen e kreut të tyre. Madje, bindjen më shumë ia kishin shtuar deklarimet e shtetasit L.K., i cili u tregonte se Indrit Taullaj dhe Plarent Dervishaj mburreshin dhe ziheshin me njëri-tjetrin, duke deklaruar se jo e vrau njëri, por tjetri Klod Saliun. Duke qenë se shumë para ishin hedhur në treg për vrasjen e Lul Berishës, ishin kontaktuar shumë shtetas dhe u ishin ofruar shuma të konsiderueshme, askush nuk kishte mundur ta vriste Lulin, përveçse ta dëmtonin duke e plagosur. Kështu, sipas të penduarit, u pa e nevojshme që të porositeshin kundërtanke nga Kosova për të realizuar krimin.

Tentativa me kundërtank

L.K. në takimin që ka bërë me ne, si moment nuk më kujtohet mirë, por pas vrasjes së Klodit, na tregoi se Plarenti me Indrit Taullajn ziheshin të dy duke thënë se nuk e vrave ti, por e vrava unë. Indriti i thoshte L.K.: “Po ku qëllon Lenti, e di ti se si qëllon Lenti”. Pas ngjarjes së ndodhur me Indrit Taullajn ramë në qetësi. Unë i thashë Indrit Dokles se do të ikja. Kjo për arsye sepse kishin filluar dyshimet mes nesh, pasi Indriti më thoshte pse nuk po del Luli, mos e lajmëron njeri atë etj. Kështu që unë u largova për në Itali në muajin korrik të vitit 2005. Në Itali kam qëndruar deri në mes të muajt gusht 2005. Gjatë kësaj kohe komunikoja rregullisht me Indritin. Kur erdha nga Italia, kisha mbledhur 100 mijë euro nga tregtia e drogës. Kur erdha unë, menjëherë jam vendosur në Tiranë tek shtëpia që kishte Indriti bashkë me dashnoren e tij. Aty gjeta Ervinin, Selën, Kujtim Bunën, vëllai i burrit të motrës së Indrit Dokles, një djalë me emrin Spartak nga Burreli dhe Sardian Sulejmanin nga Durrësi. Të nesërmen, unë me Indrit Doklen, Altin Ollonin dhe Ervinin nga Burreli shkuam me avion në Prishtinë që nga Tirana, për t’u interesuar për trafikun e drogës. Pasi bëmë muhabetet rreth trafikut të drogës, u kthyem në Tiranë të nesërmen. Mora vesh se Indrit Dokle, këta burrelsat i dërgonte vazhdimisht në Durrës që ta ruanin Lulin dhe ta vrisnin. Pasi unë u ktheva nga Italia, Sela shkoi dhe nja tre-katër herë të tjera në Durrës së bashku me Sardjanin dhe Spartakun për ta vrarë Lulin, por nuk u bë gjë. Kujtim Buna një natë bëri fjalë me Selën në prani të të gjithë neve dhe po i thoshte përderisa do marrësh lekët përse nuk shkon me vra, apo shkon për t’u tallur. Ngrihet Ervini dhe thotë se këtij nuk i kanë vrarë as nënë e as babë. Aty ndërhyn Indriti duke thënë: “Ty nuk të takon me fol shumë, se në qoftë se nuk e vrisni ju, do ta vrasim vetë”. Kështu që prishet muhabeti dhe vendosëm të ndërronim shtëpi dhe u ndamë me ta. Nga ai moment iku Sela me Spartakun dhe pas dy ditësh iku edhe Ervini. Pastaj ne vendosem me njëri-tjetrin që të largoheshim prej aty. Në atë kohë unë rrija me Indritin, Sardian Sulejmanin, Kujtim Bunën ndërsa me Altin Ollonin ishim prishur. Gjatë kësaj kohe po bënim plane për të vrarë Lulin me kundërtank, për këtë gjë u interesua Kujtim Buna, i cili i telefonoi një personi nga Kosova për të blerë dy kundërtanket njëpërdorimshe. Këto dy kundërtanke i sollën dy shtetas kosovarë të moshës rreth 40 vjeç, njëri prej tyre ishte i gjatë rreth 1.80 m dhe i shëndetshëm, kishte flokë biond, ndërsa tjetri ishte më i shkurtër rreth 1.65 m me trup të dobët dhe me flokë të rëna. Bisedat paraprakisht me këta i kishte bërë Kujtimi dhe me këta Kujtimi ishte shoqëruar që e morëm vesh më pas. Tre apo katër ditë pas porosisë së Kujtimit, dy kosovarët për të cilët fola, sollën në Tiranë dy kundërtanket e fshehur në një kamion të mbushur me patate. Kamionin me patate e kanë sjellë deri në afërsi të rrugës “Komuna e Parisit”. Në këtë vend ndaluan makinën pak larg, i morën kundërtanket në një thes dhe na i sollën në shtëpi. Kur erdhën në shtëpi, po na mësonin se si t’i përdornim. Nga udhëzimet e tyre mësuam se këto ishin 1-përdorimshe dhe pasi bëhej shpërthimi i parë që çanin blindin, shpërthenin përsëri brenda dhe kishin një temperaturë 4000 gradë. Në këtë kohë, Kujtimi bisedoi me kosovarin e shkurtër dhe i kërkoi t’i gjente një dy kosovarë, të cilët duhet të qëllonin për ta vrarë Lul Berishën. Erdhën dy kosovarët që i solli baca i vogël. Me këtë emër thërrisnim kosovarin e shkurtër që solli kundërtanket. Me këta e bëmë pazarin për 80 mijë euro për të vrarë Lul Berishën. Ne u kërkuam që të qëllonin me kundërtank, por ata nuk pranuan dhe thanë se është më lehtë ta vrisnim me pistoleta, pasi t’i afrohemi afër. Ne këtyre u dhamë dy pistoleta, si dhe fotografinë e Lul Berishës, fotografi kjo e prerë në foto e dalë në kohën kur grupi ishte bashkë. Njëri nga kosovarët ishte më i shkurtër dhe e quanin “kinezi”, ndërsa tjetrit nuk ia mbaj mend emrin. Dy kosovarët i dërgoi në Durrës Sardian Sulejmani dhe u tregonte vendin dhe lokalin ku do t’i gjuanin Lulit. Kosovarët i strehuam në plazh tek një hotel, të cilit nuk ia di emrin. Ditën që ka ndodhur ngjarja, dy kosovarët po qëndronin në zonën afër lokalit të Lulit, por të shkëputur me nga 50 metra nga njëri-tjetri. Në kohën kur po prisnin daljen e Lulit, njëri prej kosovarëve ishte sulmuar prej tre personave të cilët i ishin qepur për ta rrahur. Ky kishte futur dorën tek pistoleta dhe e ka shkrepur pa dashje duke e plagosur vetën. Siç na tregoi Sardiani më vonë, ai i kishte rënë telefonit të këtij kosovarit, por ai nuk përgjigjej. Në një nga këto thirrjet ai është përgjigjur me gjysëm zëri. Atëherë është afruar Sardiani me kinezin dhe e kanë gjetur kosovarin të shtrirë në tokë. Ai i ka kërkuar Sardianit ndihmë. Por, Sardiani ia ka marrë armën të vetëplagosurit dhe kinezit dhe ka ikur nga aty duke i lënë në rrugë. Ndërkohë, kinezi ka lajmëruar policinë dhe ka shkuar bashkë me shokun e tij në spital. Kur policia më pas ka shkuar në spital, kinezi i është dorëzuar policisë dhe ky tentim vrasjeje dështoi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›