Strategjia për veriun e Kosovës, Ivanoviç: I pazbatueshëm
Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se strategjia e qeverisë në Prishtinë dhe zyrës civile ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe e pazbatueshme. Gjatë një interviste ai ka pohuar ndër të tjera se pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës të cilën ata nuk e njohin. Deklarata të tilla të Ivanoviçit mbërrijnë në një kohë kur Kosova pritet të festojë 2-vjetorin e pavarësisë së saj më 17 shkurt dhe autoritetet ndërkombëtare po përshëndesin me radhë në një përvjetor të tillë, arritjet e bëra nga shteti më i ri i Europës në një hark kohor kaq të shkurtër. Më herët, sekretari shteteror ne Ministrine serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se plani i qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut nuk ka gjasa që të funksionojë. Duke folur në një intervistë për VOA, Ivanoviç është shprehur se Kosova është pjesë e Serbisë dhe për rrjedhojë nuk ka nevojë për një plan integrimi.
Ai ka theksuar se ky plan nuk është rruga e duhur për të zgjidhur problemin e veriut të Mitrovicës dhe ka shprehur bindjen e tij se ai do të dështojë.
"Plani për integrimin nuk ka mundësi që të zbatohet. Kjo është një rrugë e gabuar dhe nuk do të ketë sukses", ka sqaruar Ivanoviç.