E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strati: Sezoni i ri, përcaktues për të ardhmen e Luftëtarit

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Futbollisti vlonjat, Ermir Strati, medon se ekipi gjirokastrit do tu rikthehet vlerave të dikurshme, ndërsa vetë dëshiron të qëndrojë edhe sezonin e ri

Vlonjati Ermir Strati erdhi për fazën e dytë të kampionatit të fundit te Luftëtari, duke pasur bindjen se ky ekip do ta arrinte suksesin dhe nuk u gabua. Ai luajti në mesfushë, disa herë edhe organizator, ndërkohë që realizoi 2 gola me fanellën e ekipit gjirokastrit. Nga 16 ndeshje që luajti ky ekip për vitin 2012, ai u aktivizua në 13 prej tyre, 9 të plota.

Strati është i datëlindjes 11.11.1983 dhe kësisoj hyn në grupin e lojtarëve me përvojë, të cilët luftuan për ngjyrat e Luftëtarit, grup ku bënin pjesë edhe Devolli, Nora, Sinani, Nino, Zholi, Braho, Bistri, Gaxhaj dhe të tjerë. Ai luajti me nerv dhe i shërbeu ngjitjes së ekipit në fjalë në majë të Kategorisë së Parë.

Vetë Strati thotë se Luftëtari e meritoi titullin kampion dhe, sipas tij, sezoni i ardhshëm do të jetë përcaktues për këtë ekip: Te Luftëtari gjeta mirëkuptim me të gjithë dhe ishim si një familje e madhe, pa konflikte. Të them të drejtën, më pëlqen të jem në Gjirokastër edhe për sezonin 2012-2013. Ndër faktorët që e çuan Luftëtarin në Superligë do të veçoja atë që u formua një grup me grintë të lartë sportive.

Nuk diskutohet që ky ekip pati një presidencë dhe dy stafe trajnerësh, që ishin në lartësinë e duhur. Tani për ekipin gjirokastrit nis një kapitull i ri dhe, sipas traditës së tij më të hershme se ky fillimshekulli, duhet të rezultojë i këndshëm. Pra, në radhë të parë u takon futbollistëve që ta shkruajnë ashtu si duhet për të qenë i tillë.

Gjirokastra ka nxjerrë jo pak futbollistë, të cilët janë bërë mjaft të njohur anembanë vendit, disa edhe në Greqi, kështu që dua të kujtoj shprehjen: Ku ka rrjedhur, do pikojë Shkurt, drejtuesit e Luftëtarit duhet të marrin masat, që ekipi të qëndrojë në Superligë sezonin e ardhshëm.

Në vazhdim ky ekip duhet tu rikthehet vlerave të tij të dikurshme. Për mendimin tim, sezoni i ri do të jetë përcaktues për fatet e tij, – ka thënë mes të tjerash për Sportin shqiptar futbollisti vlonjat, Ermir Strati.

Cili është emri i stadiumit të Gjirokastrës?

Në shtyp, stadiumi i qytetit të Gjirokastrës emërtohet Gjirokastra, por, nëse dikush do të kërkojë në Google pamje satelitore të planetit, do të lexojë se quhet Subi Bakiri (Subi Bakiri nuk jeton më. Ai ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës dhe  interesohej për sportet, veçanërisht për futbollin në qytetin e tij).

Stadiumi i Gjirokastrës mbaroi së ndërtuari në vitin 1973 dhe më pas iu dha emri Subi Bakiri, por, më 06.07.1992, këshilli bashkiak i Gjirokastrës vendosi që stadiumi të quhet Gjirokastra. Atëherë, cili është emri i këtij stadiumi? Në fakt, ka edhe stadiume me dy emra, fjala vjen ai i Milanos, që quhet San Siro, por edhe Xhuzepe Meaca, përkatësisht kur luan Milani dhe Interi, por Gjirokastra ka vetëm një ekip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›