Hysolli: Qëndroj te Gramozi, nëse plotësohen kushtet
Sulmuesi korçar, Ilir Hysolli, thekson se mund ti japë lamtumirën ekipit kolonjar, nëse drejtuesit e tij nuk do ta ndryshojnë situatën
Rënia e Gramozit një kategori më poshtë pritet të sjellë shumë probleme për këtë ekip, sepse të gjithë futbollistët jabanxhinj të tij do të largohen. Mbrojtësi Peçi deklaroi tërheqjen nga futbolli, ndërkohë që shumë të tjerë mendojnë largimin. Korçarët Bello, Cale dhe Hysolli, pohojnë se, nëse Gramozi nuk do tu plotësojë kushtet e duhura, do ti japin lamtumirën.
Ata shprehen se nuk mund të luajnë te Gramozi pa u paguar, siç ka ndodhur muajt e fundit. Sulmuesi Ilir Hysolli, i cili shënoi golin e vetëm të kolonjarëve në ndeshjen me Naftëtarin, për Sportin shqiptar thekson: Ekipi ra në kategorinë inferiore për një sërë faktorësh. Kishim probleme që në fillim të kampionatit e deri në fund.
Kur erdhëm për të luajtur te Gramozi, si djem të rinj, i lamë pas problemet dhe për mua aktivizimi me këtë ekip do të mbetet i paharrueshëm, sidomos puna që kanë bërë trajnerët Qirjako dhe Hitaj. Në kushte të vështira atmosferike dhe me problemeve të theksuara financiare, ata janë munduar të bëjnë maksimumin për ekipin. Edhe ne u munduam deri në fund, por fati nuk na buzëqeshi.
Mendoj se tani drejtuesit e pushtetin vendor duhet të mblidhen dhe të vendosin për Gramozin e sezonin të ri, sepse vonesat do të bëjnë që edhe ata pak futbollistë të largohen. Uroj që të ndryshojnë gjërat për sezonin e ri, sepse, nëse nuk plotësohen të paktën kushtet minimale, do të largohem. Dëshira është të luaj sërish me Gramozin, edhe pse në Kategorinë e Dytë, por e ritheksoj se duhen krijuar disa kushte.
