Tifozët e Partizanit kërkojnë ndihmën e Ministrit të Ekonomisë
Shoqata Tifozët e Futboll Klub Partizani, me anë të një letre të hapur, i kërkojnë ministrit Nasip Naço të përshpejtojë procedurat dhe të hapet ankandi për shitjen e klubit
Ishte menduar se me përfundimin e sezonit, do të merrte menjëherë jetë Partizani i ri, por, pas finales së Kategorisë së Dytë me Tërbunin, në kampin e kuq asgjë nuk funksionin. Hapi i parë i ndryshimi fillon nga Ministria e Ekonomisë, ku, pas dosjes së përpiluar nga dikasteri i mbrojtjes, është METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës), që do të bëjë regjistrimin e shoqërisë së re aksionare, si dhe nxjerrjen në ankand të klubit.
Se kur do të ndodhë ky hap askush nuk e di, por çdo vonesë ndikon për keq tek e ardhmja e Partizanit. Kështu, tifozët e kuq, me anë të një letre të hapur, i janë drejtuar Ministrit të METE-es, Nasip Naços, që me autoritetin e tij të ndikojë në përshpejtimin e proceduarve, në mënyrë që ëndrra e dashamirësve të Partizanit të mos shuhet pa nisur ende. Ja dhe letra e plotë e tifozëve të Partizanit:
Letër e hapur, drejtuar zotit Nasip Naço, Ministër i Ekonomisë
I nderuar zoti Naço!
Ka disa javë që dosja për privatizimin e klubit të futbollit Partizani gjendet në institucionin tuaj, përcjellë aty nga Ministria e Mbrojtjes, që duam ta falënderojmë publikisht për këtë gjë, sidomos kreun e kësaj ministrie, z.Arben Imami. Emri i Partizanit është i shenjtë për ne tifozët, sepse ndër vite ka qenë lider i futbollit shqiptar.
Është klubi që veç trofeve të shumtë kombëtarë, ka në panteonin e arritjeve të tij edhe 1 Kupë Ballkanike, diçka që asnjë klub tjetër shqiptar nuk e ka. Vitet e fundit Partizani u përball me vështirësi të panumërta, por, falë dashurisë së tifozëve të shumtë, prej jugut në veri, madje me bindje mund të themi, klubi më i dashur edhe në Skraparin tuaj, arriti të mbijetojë. Një falënderim për këtë gjë, veç Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën e cituam, kemi edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit, me në krye presidentin Duka.
Zoti Ministër! Shoqata jonë, kërkon prej jush, që me autoritetin që ju jep posti dhe ligji, të përshpejtoni procedurat e privatizimit të Partizanit. Dosja tashmë ka kohë që është në ministrinë tuaj, por, siç duket, disa dashakeqë apo burokratë, po e vonojnë këtë proces. Çdo vonesë për privatizimin e shpejtë të klubit Partizani, veç kostos politike personale ndaj jush, ka edhe koston e mosarritjes në kohë të përmbushjes së kërkesave për licensimin nga FSHF-ja.
Kemi shpresë se, falë potencialit tuaj intelektual dhe drejtues në krye të Ministrisë së Ekonomisë, do të bëni të mundur ndëshkimin e çdo burokrati, që me qëllim apo nga paaftësia, po vonon daljen në ankand të klubit. Çdo vonesë burokratike apo dashakeqe në ministrinë që ju drejtoni, do të na detyrojë të zgjedhim rrugën e protestave, përpara institucionit tuaj. Kemi bindjen e plotë se ju personalisht, do ti jepni zgjidhjen e shpejtë ngërçit të krijuar.
Me respekt!
Shoqata Tifozët e Futboll Klub Partizani
