S’ka kthim prapa

Që nga e marta, Federata e Futbollit e Serbisë (FSS) nuk po mund të pajtohet me vendimin e FIFA’s, e cila i lejoi Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me përfaqësuese.
Madje të premten mediat serbe B92 dhe Blic kanë raportuar se shtëpia e futbollit botëror ka pezulluar vendimin, me të cilin u kishte lejuar kosovarëve që të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
“Duhet në letër t’i korrigjojmë kushtet e këtij vendimi, i cili për momentin është i suspenduar”, shkruajnë mediat serbe të ketë thënë presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.
Mirëpo, ky i fundit, pas kongresit të FIFA’s që u mbajë për tri ditë rresh në Budapest e që përfundoi të premten, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vendimin për Kosovën ka demantuar raportet e mediave serbe.
“Vendimi për Kosovën nuk do të rikthehet, hapi i ardhshëm do të jetë modaliteti i implementimit”, ka thënë Blatter të premten në konferencën për shtypë të mbajtur në Budapest.
Në anën tjetër, edhe krerët e futbollit kosovar kanë mohuar lajmin e medieve serbe. Sipas tyre, vendimi i FIFA’s për të luajtur ndeshje miqësore nuk do të ketë kthim prapa.
“E kam dëgjuar konferencën për shtyp të Blatterit live. Një gazetar i huaj e ka pyetur për Kosovën dhe ai i është përgjigjur se vendimi për Kosovë nuk do të pezullohet, por në takimin e 31 majit do të bisedohet për implementimin e tij. Unë besoj se vendimi i FIFA’s nuk do të ketë kthim prapa”, ka thënë për Express sekretari i FFK’së, Eroll Salihu.
Pas reagimit të serbëve, edhe kreu i UEFA’s, Michael Platini, ditë më parë kundërshtoi vendimin për t’i lejuar Kosovës që të zhvillojë ndeshje miqësore me përfaqësuese.
Ndërsa pas këtyre reagimeve, krerët e futbollit botëror (FIFA) kanë ftuar në dialog zyrtarët e UEFA-s dhe të Federatës së Futbollit të Serbisë që më 31 maj në Zurich të diskutojnë rreth vendimit për Kosovën.