“Stratus”, varianti mbizotërues/ Shpërthim rastesh me Covid-19 në Itali, mbi 2 mijë të prekur në vetëm një javë

Italia po përballet me një valë të re të infeksioneve me COVID-19, me një rritje prej 47% të rasteve gjatë javës së fundit, sipas buletinit më të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Në të njëjtën periudhë, janë regjistruar 8 viktima, një ulje e lehtë në krahasim me javën paraardhëse, ku ishin raportuar 10 humbje jete.
Rrethet më të prekura janë:
• Lombardia: 532 raste
• Kampania: 319 raste
• Emilia-Romagna: 240 raste
Sipas ekspertëve, rritja e infektimeve lidhej kryesisht me qarkullimin e variantit të ri “Stratus”, i cili po përhapet me shpejtësi, por deri tani nuk ka shkaktuar presion serioz mbi spitalet.
Sipas Institutit të Lartë të Shëndetit Publik (ISS), shkalla e shtrimeve dhe vdekshmërisë mbetet më e lartë tek grupmoshat e vjetra. Indeksi i transmetueshmërisë (Rt) është llogaritur në 1.41 (me interval 1.24-1.60), pak më shumë se javën e kaluar (Rt = 1.35), duke sinjalizuar një përhapje të vazhdueshme.Të dhënat paraprake të muajit gusht 2025 tregojnë për një bashkëqarkullim të nënvarianteve të ndryshme, përfshirë JN.1 dhe një mbizotërim të sekuencës XFG, aktualisht nën shqyrtim ndërkombëtar.
Autoritetet shëndetësore po monitorojnë nga afër situatën dhe kanë apeluar për vigjilencë, sidomos tek grupet e riskut, ndërsa nuk ka paralajmërime për masa të reja kufizuese në këtë fazë.