Çefa zgjidhet nënkryetari i KLD. Nishani: Shkeljet e gjykatësve do bëhen publike dhe do ndiqen penalisht
(E PERDITESUAR)- Presidenti i ri, Bujar Nishani, së bashku me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, votuan për Elvis Çefën si nënkryetar të ri të KLD-së. Kjo garë ishte lënë e hapur nga presidenti Bamir Topi, pasi qeveria kërkoi me ngulm që nënkryetar i KLD-së të ishte Elvis Çefa, i zgjedhur nga mazhoranca në Kuvend, kurse Bamir Topi ishte për zgjedhjen e Ilir Mustafajt nga komuniteti i gjyqtarëve.
Çefa zëvendëson Kreshnik Spahiun në këtë detyrë, ndërkohë që ky hap shihet si revanshi i parë i presidentit të ri dhe mazhorancës qeverisëse ndaj gjyqësorit.
Bujar Nishani drejtoi për herë të parë mbledhjen e KLD-së me statusin e presidentit të ri. Nishani tha se duhet bërë model dominues në drejtësi ai i gjykatësve me integritet.
Nga kjo mbledhje dua të dërgoj këtë mesazh se ky do jetë një parim i patjetërsueshëm. Kam bindjen e palëkundur se në sistemin tonë gjyqësor ka një shumicë gjykatësish profesionalistë dhe me integritet, qytetarë të ndershëm të këtij vendi që e duan emrin e mirë dhe besojnë në vlerat e trashëgimisë. Ne kemi një detyrë dhe një mundësi. Ta bëjmë këtë model dominues të këtij sistemi. Ne çdo ditë, asnjëherë nuk duhet të harrojmë që në themel të sistemit janë vetë njerëzit, janë gjykatësit që i kthejnë ligjet parimet procedurat në një mekanizëm që vepron. Dua të kujtoj këtu një shembull pozitiv që kemi në sistemin tonë gjyqësor, tha Nishani.
Nishani theksoi se në detyrën e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atë të Presidentit në bashkëpunim me qeverinë do të kërkojë rritje pagash për gjyqtarët e ndershëm, kurse për të korruptuarit, premtoi ndëshkim.
Sistemi gjyqësor që bazë ka gjyqtarin kërkon një politikë pagash më të mirë për ta. Personalisht do jem më intensiv për të realizuar një nivel pagash më të lartë për gjyqtarët e shkallës së parë etj.
Nishani u zotua se do të përndjekë të gjithë ata që e shikojnë gjyqësorin si pasuri.
Dua të theksoj, se ata që e shikojnë pushtetin gjyqësor si pasuri, gjithmonë do kenë presidentin pas si një kundërshtar të ashpër…Praktikat në shkelje të hapur të ligjit të bëhen publike dhe të gjithë ata gjykatës që ia mohojnë drejtësinë qytetarit do ndiqen penalisht.
