Strehë rehabilitimi për viktimat e dhunës në familje
Ngritja e një qendre kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje është nisma më e re e Ministrisë së Punës. Qëllimi parësor i kësaj strehe është të ofrojë shërbime këshillimi, psikosociale, programe rehabilitimi dhe asistencë mjekësore për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare. “Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje është e para, por nuk do mbetet e fundit. Në vijimësi ne presim që njësitë e qeverisjes vendore të fillojnë punën për ngritjen e qendrave rajonale apo lokale në funksion të këtij qëllimi”, tha Alma Marku, drejtoreshë e Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen në Ministrinë e Punës. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe ky institucion ka vazhduar punën për forcimin e mekanizmave institucionalë, për menaxhimin e këtij fenomeni, por sidomos për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj dukurisë së dhunës dhe denoncimit të saj. “Nga analizat periodike rezulton se shtimi i rasteve të denoncuara vjen si rezultat i këtij sensibilizimi, si dhe i garantimit nga strukturat e policisë të masave mbrojtëse të ligjit ‘Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare’”, sqaroi Marku. Ajo shtoi se gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje, ndërkohë që konkludohet se ka rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara nga strukturat e policisë. Ministria e Punës do të vazhdojë të punojë për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje, duke bërë edhe koordinimin e të gjitha institucioneve të tjera qeveritare ose jo, përgjegjëse për zbatimin e ligjit 9669 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
#