E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: Kongresi i SHBA-së, pyetje ambasadorit grek për çështjen çame

Kryetari i PDI-së bëri një ekspoze të detajuar të vizitës së tij në Uashington, përpara mediave dhe anëtarëve të kryesisë

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, deklaroi dje në një konferencë për mediat, së bashku me anëtarët e kryesisë, se tashmë Kongresi amerikan do të merrte masa konkrete për zgjidhjen e çështjes çame. Duke bërë një përmbledhje për vizitën disaditore në Uashington, Muhedini theksoi se në fillim të vitit tjetër, një grupim kongresmenësh dhe senatorësh do të vijnë në Shqipëri për të mbledhur më shumë informacion në lidhje me këtë çështje. Sipas Muhedinit, të gjithë këta hapa që përfaqësuesit e Kongresit amerikan pritet të marrin, do të kulmojnë me miratimin e një rezolute për çështjen çame. “Shumë i rëndësishëm është fakti që disa prej kongresmenëve konfirmuan vullnetin pozitiv për të iniciuar një rezolutë për këtë çështje në Kongresin amerikan. Rezolutën ne do ta përgatisim me juristë dhe historianë. Ky është një moment historik i gëzueshëm për gjithë shqiptarët çamë. Disa kongresmenë, pasi dëgjuan me vëmendje tragjedinë e kësaj popullsie para pak dekadash dhe faktin që askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë që ka ndodhur, paraqitën dëshirën t’i drejtohemi një rezolute”, deklaroi Muhedini, duke e konsideruar këtë një ngjarje historike. Po kështu, sipas kreut të PDI-së, kongresmenët u angazhuan që në fillim të vitit që vjen ta fusin Shqipërinë në axhendën e vizitave të tyre në rajon, duke shtuar se ata do të takoheshin edhe me përfaqësuesit e komunitetit çam, për të pasur një kuadër më të qartë të situatës. Nga ana tjetër, Tahir Muhedini theksoi se në lidhje me këtë çështje, Kongresi amerikan mori përsipër të zhvillojë një seancë pyetjesh edhe me ambasadorin e Greqisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ata morën përsipër që shumë shpejt për këtë çështje ambasadori i Greqisë në SHBA të merret në pyetje dhe njëkohësisht kjo t’i transmetohet edhe ambasadorit amerikan në Greqi”, theksoi Muhedini. Sipas tij, kjo vizitë e një përfaqësie të PDI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të cilësohet si historike, sepse për herë të parë çështja çame shtrohet në Kongresin amerikan. Po kështu Muhedini deklaroi se gjatë vizitës disaditore në Uashington ai ka pasur takim edhe me drejtuesit e shoqatës “Vatra” dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të cilët e kanë inkurajuar për lobimin që po bëjnë për njohjen e çështjes çame. Duke folur për vizitën e tij në SHBA, Muhedini theksoi se ai priste përgëzime për këtë hap të hedhur edhe nga ana e përfaqësuesve të tjerë të komunitetit çam, siç ishte edhe Partia për Drejtësi dhe Unitet. Sipas tij, ndonëse në politikën e brendshme mes forcave që përfaqësojnë komunitetin çam mund të ketë ndasi, tashmë të gjithë duhet të bashkojnë përpjekjet, në mënyrë që për zgjidhjen e kësaj çështjeje në sferën ndërkombëtare të ketë mirëkuptim dhe bashkëpunim.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›