E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi, 1300 dosje në verifikim

10/01/2012  Miratimi i dosjeve për trajtimet me programin e kredive të lehtësuara e banesave sociale me qira

Aplikimet e reja mund të bëhen pranë njësive vendore, kriteret kush përfiton

Komisioni i strehimit, i miratuar dy javë më parë nga këshilli bashkiak i kryeqytetit, nis punën për verifikimin e familjeve që mund të vijojnë më tej procedurat e trajtimit me një nga programet e strehimit social. Burime pranë këtij institucioni pohojnë se janë rreth 1300 dosje të depozituara (gjatë vitit të shkuar) e që janë në pritje të miratimit të lejes për të vijuar më tej procedurat në bankë për të përfituar nga programi i banesave me kredi të ulët. Bëhet me dije se pjesa dërrmuese e këtyre dosjeve që u përkasin aplikimeve për marrjen e kredive të lehtësuara nga shteti , ndonëse janë verifikuar nga komisionet e mëparshme, do të kalojnë sërish në seleksionim. Komisioni i strehimit (në përbërje të cilit janë tetë anëtar, katër prej tyre u përkasin organizatave joftimprirëse, që janë në mbrojte të interesave të qytetarëve) do të kalojë në sitë të gjitha kërkesat e bëra nëpërmjet dosjes së dorëzuar nga qytetarët në mënyrë të vazhdueshme, çka do të thotë se të gjitha kategoritë që plotësojnë kriterin e duhur të të ardhurave do të kalojnë direkt për miratim në mbledhjen më të afërt këshillit bashkiak. Më pas do të konkretizohet procedura e lidhjes së kontratave të përfitimit dhe marrëveshjes me bankën e përzgjedhur. Në çdo rast përzgjedhja e familjeve që do të trajtohen me strehim nga komisioni përkatës do të bazohet në aftësinë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe për ndihmën e shtetit sipas sistemit të pikëzimit të caktuar. Në total bëhet me dije se janë rreth 1000 kredi për tu shpërndarë në banka për familjet që plotësojnë kriteret, interesat e të cilave do të mbulohen në pjesën më të madhe nga shteti. Aktualisht vijojnë aplikimet e reja për këto programe, çka tregon se familjet që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të regjistrohen sërish për t’u bërë pjesë e trajtimit të një prej programeve.

Aplikimi

Aplikimi bëhet nëpërmjet një formulari, që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit me Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës ose në njësinë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku regjistrohet në database-n elektronike të drejtorisë.

Familjet që përfitojnë

Të drejtën për të aplikuar dhe për të përfituar strehim në programin e banesave me kosto të ulët e kanë të gjitha ato familje që plotësojnë kriterin e të ardhurave të përcaktuara. Kështu, mund të aplikojnë të gjitha familjet që kanë nivelin e të ardhurave në kufijtë: 31 007 - 51 249 lekë (për familjet të përbëra nga 1- 2 persona) 41 865 – 65 964 lekë (për familjet të përbëra nga 2-3 persona) 54 153 – 84 035 lekë (për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona) 68 585 – 107 142 lekë (për familjet të përbëra nga 4-6 persona) të aplikojnë për të përfituar nga trajtimi me programin e banesave me kosto të ulët sipas udhëzimit nr. 6257, datë 2.09.2008 “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”. Sa u takon kritereve, këshilli bashkiak klasifikon për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit familjet që nuk kanë në pronësi një banesë, zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje, si dhe ato që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore e që kanë të ardhura të pamjaftueshme.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve (prioritetet)

Kanë përparësi individët dhe familjet që klasifikohen për t’u trajtuar me programet sociale, të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak dhe që kanë këto specifika:

1) Familjet që vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”.

2) Familjet ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar.

3) Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë.

4) Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror.

5) Individët me aftësi të kufizuar që gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare.

6) Familjet me shumë fëmijë.

7) Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç

8) Familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi.

9) Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30-vjeçare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›