E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pero Pejiç dhe Toni Pezo në Vlorë

10/01/2012  Është zyrtare. Pero Pejiç dhe Toni Pezo janë prej mbrëmjes së djeshme lojtarë të Flamurtarit. Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare të klubit vlonjat. Kështu dy futbollistët kanë zhvilluar një takim mbrëmë me presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Pas takimit është konfirmuar se të dy lojtarët do të bashkohen me ekipin në Turqi dhe do të jenë pjesë e vlonjatëve deri në fund të sezonit. Mësohet se si Pezo dhe Pejiç kanë rënë dakord me ofertën e Gjikës dhe kështu do të jenë dy përforcimet e mëdha për skuadrën e Muçës këtë janar. Faktikisht të dy lojtarët janë njohje të vjetra të kampionatit shqiptar. Pejiç deri para pak muajsh luante tek Tirana dhe për më shumë para kërkoi një aventurë në Arabinë Saudite tek klubi “Al-Faisali”. Vetëm pak muaj zgjati aventura e tij me 9 ndeshje e dy gola dhe në dhjetor kroati u kthye në Shqipëri për të gjetur një ekip tjetër në superligë pas aventurës me Dinamon dhe Tiranën. Këtë herë shtëpia e tij shqiptare do të jetë Vlora, ku është marrë si njeriu që duhet të nxjerrë nga balta një skuadër që ka vuajtur shumë mospasjen e një goleadori të vërtetë në skuadër.

Edhe Toni Pezo është kroat dhe më parë ka luajtur në Shqipëri me Tiranën dukë u shpallur kampion me këtë skuadër. Për dy vite me radhë ai është përfolur pranë shumë skuadrave shqiptare, por ato lajme kanë qenë veçse thashetheme. Por këtë dimër Flamurtari arriti ta bindë të kthehet në Shqipëri për të qenë pjesë e vlonjatëve pas dy vitesh aventurë tek NK Zadar, ndonëse nuk ka luajtur pothuajse gjatë gjithë sezonit 2010-2011, edhe pse është rikthyer në fushë në sezonin 2011-2012. Pezo është një lojtar polivalent pasi mund të luajë si në mesfushë dhe mbrojtje, duke qenë një xhol për dy repartet e Muçës që realisht këtë pjesë të parë të sezonit kanë çaluar në Vlorë. Gjithsesi me ardhjen e Pejiçit dhe Pezos tek Flamurtari mbyllen vrima të mëdha, por merkatoja mund të sjellë të tjera surpriza.

FIFA ultimatum tjetër Dinamos: Paguaji 35 mijë euro Jusufit

Klubi Dinamo është sërish në prag të heqjes së pikëve. Shkak është bërë një tjetër gjyq i humbur në FIFA nga klubi tiranas këtë herë ndaj ish-lojtarit Pëllumb Jusufi. Ky i fundit ka luajtur me Dinamon në sezonin 2008-2009 për 20 ndeshje duke shënuar edhe dy gola, dhe pasi është aktivizuar nuk është paguar rregullisht nga ekipi i Dinamos. Menjëherë lojtari kur ka kuptuar se nuk do t’i merrte kurrë lekët nga presidenca e Dinamos e ka çuar çështjen në FIFA. Pas më shumë se dy vite gjyq komisionet juridike të FIFA-s i kanë dhënë të drejtë lojtarit Jusufi. Prej disa ditësh çështja ka mbërritur në FSHF. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare në federatë. Në letrën dërguar FIFA urdhërohet që klubi Dinamo t’i paguajë lojtarit në fjalë shumën prej 35.000 mijë eurosh rroga të prapambetura si dhe gjobën. Si edhe në letrën e parë që i kushtoi Dinamos heqjen e pikëve, nëse Dinamo nuk paguan atëherë ndëshkimi pritet të jetë edhe më i madh se herën e parë. Pra Dinamo duhet të paguajë nëse nuk dëshiron të ndëshkohet sërish për këtë çështje dhe sigurisht nuk do të ketë 3 pikë të hequra por më shumë se kaq. Gjithsesi në federatë kanë konfirmuar dje se mes Dinamos dhe lojtarit ka një diskutim dhe pritet që palët të bien dakord për shumën që duhet të paguajë klubi. Ky i fundit që prej ardhjes së letrës ka ngritur duart lart dhe ka pranuar se nuk mund të paguajë rrogat e lojtarit. Të shohim sesi do të shkojë kjo çështje edhe pse nuk e para për blutë të cilët në fillim të shatorit u ndëshkua me heqjen e tri pikëve për shkak të mos pagimit të Dario Bodrusiçit. Pëllumb Jusufi është lojtari tjetër që ka fituar në FIFA, por pas tij janë edhe disa të huaj të tjerë që janë ankuar në Zvicër për të marrë djersën e tyre të pashpërblyer nga klubi Dinamo që në atë kohë trumbetonte skuadër të madhe dhe korrekte në pagesa.

Sëlltiku në ndjekje të Salihit

Salihi i dashuruar pas ngjyrës bardhejeshil. Nga bardhejeshilët e Rapidit të Vjenës ai mund të transferohet në Skoci te bardhejeshilët e Sëlltikut të Gllazgout. Sulmuesi i kombëtares shqiptare mund të jetë pjesë e gjigantëve skocezë në pjesën e dytë të sezonit. Është ky lajmi më i fundit që vjen në lidhje me të ardhmen e bomberit shkodran, i cili është shumë pranë largimit nga Rapidi i Vjenës. E nëse deri dje flitej më shumë për një spekulim apo dëshirë të tifozëve të Sëlltikut tashmë Salihi është vërtet një nga objektivat e merkatos së klubit në fjalë. Këtë herë ka qenë vetë trajneri i Sëlltikut, Neil Lenon që ka konfirmuar interesimin e klubit të tij për të afruar në skuadër sulmuesin e Rapidit të Vjenës.

Dëmtohet Cana, disa javë jashtë

Lorik Cana do të qëndrojë për disa javë larg fushave të futbollit. Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtori sportiv i Lacios Igli Tare. Ish-kapiteni i kombëtares ka deklaruar se Cana ka marrë një goditje në këmbë në ndeshjen kundër Sienës dhe kjo do ta detyrojë atë që qëndrojë larg fushave për disa javë. Duhet thënë se ky dëmtim fatkeq vjen në momentin më të mirë të Lorikut, i cili kishte nisur të aktivizohej më shpesh, madje kishte fituar dhe vendin e titullarit në skuadër. Dëmtimi i Canës duket se i ka prishur jo pak punë Lacios. Madje mund ta detyrojë këtë klub që të ndërhyjë në merkato për të mbushur boshllëkun. Këtë e ka konfirmuar vetë Tare. “Cana ka pësuar një dëmtim në ndeshjen kundër Sienës dhe për fat të keq do të na mungojë për disa javë. Tani duhet të mendohemi mirë për të ndërhyrë edhe në merkato”,- ka deklaruar drejtori i Lacios, Igli Tare.

Roshi pështyn kundërshtarin tërbohet media gjermane

Mesfushori i Këlnit dhe i kombëtares shqiptare Odise Roshi është bërë protagonist i një gjesti të shëmtuar në miqësoren e së dielës ndërmjet Këlnit dhe Hanoverit. Dhe kjo ka tërbuar mediet gjermane që kanë kritikuar ashpër talentin fierak të Këlnit. Gjatë një dyluftimi, rreth minutës së 70 (Roshi është futur në lojë në minutën e 60-të) Roshi ka pështyrë në fanellë mesfushorin e Hanoverit, Shtopelkamp. Tepër kritike pas këtij lajmi është treguar tabloidi gjerman “Bild”, ndërkohë që reagime ka pasur edhe nga mesfushori i Hanoverit, ashtu dhe nga trajneri i skuadrës së Altin Lalës, Mirko Slomka. “Më vjen keq që gjyqtari i ndeshjes nuk arriti ta shihte këtë episod të shëmtuar”,- ka komentuar Shtopelkamp për “Bild”. Fërkimi mes dy futbollistëve ka vijuar edhe në përfundim të takimit kur mesfushori i Hanoverit i është drejtuar me fjalë kërcënuese mesfushorit tonë: “Ti më pështyve mua, por unë fare mirë mund të t’i kisha thyer turinjtë”. Sakaq në këtë mesele ka ndërhyrë edhe trajneri i Hanoverit, Mirko Slomka, që e ka konsideruar veprimin e Roshit si: “Një skenë e një veprim shumë i shëmtuar”.

Dëmtohet edhe Kapllani

Lajme jo të mira as për sulmuesin e kombëtares shqiptare Edmond Kapllani. Sulmuesi durrsak i Augsburgut është dëmtuar në miqësoren e fundit që skuadra e tij ka zhvilluar përballë Ingolshtadit (1:1). Kapllani ishte dhe autori i golit të Augsburgut në këtë ndeshje, por sulmuesi ynë i futur në lojë në pjesën e dytë nuk e ka mbyllur dot takimin. Shkak është bërë një tërheqje muskulore për të. Lajmi raportohet nga e përditshmja “Augsburger Allgemeine”. Dëmtimi i pësuar ka alarmuar trajnerin Luhukaj. Fill pas ndeshjes ai është shprehur: “Shpresoj të mos bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë”. Nga ana tjetër nga klubi nuk ka ndonjë njoftim në lidhje me kohën e riaftësimit të sulmuesit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›