E Enjte, 5 Nëntor 2026

Strehimi i afganëve/ Rama për median italiane: Kodi i nderit na obligon të jemi mikpritës

Strehimi i afganëve në vendin tonë, sipas kryeministrit Edi Rama, është sipas një kodi nderi që na obligon të jemi mikpritës.

“Kur është fjala për Italinë, për fat të keq jam i njëanshëm, flet Kryeministri i Shqipërisë, duke iu përgjigjur SprayNeës. Unë gjithashtu ndihem italian dhe për këtë arsye nuk jam në pozicionin e dikujt që mund të gjykojë, edhe sepse, si një vëzhgues i zjarrtë, siç jam, i politikës italiane, e kuptoj kompleksitetin e problemit. Unë mund të flas për vendin tim. Për ne, mirëpritja e refugjatëve afganë është një gjë shumë e rëndësishme, e natyrshme dhe morale. Tridhjetë vjet më parë ne ishim afganët që kërkuam mikpritje nga ana tjetër e detit. Ne, që në atë kohë dukej se ishim të huaj për popullin italian dhe opinionin publik evropian, siç duken sot afganët. Nga ana tjetër, ne kemi një traditë për të nderuar. Shqipëria është i vetmi vend evropian që priti hebrenjtë para dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Është një kod nderi që na obligon të jemi mikpritës. Një kod, sipas të cilit shtëpia e secilit shqiptar i përket Zotit dhe mysafirit. Unë besoj se ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe për fëmijët tanë. Ata gjithashtu duhet të kultivojnë, si një pasuri të çmuar, këtë ndjenjë përgjegjësie ndaj të tjerëve në vështirësi, duke qenë fëmijë të një populli, i cili, në momente të ndryshme të historisë së tij, është mbështetur në mikpritjen e të tjerëve”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›