Ministrja Xhaçka në takimin e NATO-s: “Gati të presim mijëra afganë”

Ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s zhvilluan sot një takim virtual për situatën në Afganistan, pjesë e të cilit ishte edhe ministrja jonë e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Në një postim në twitter, Xhaçka shkruan se Shqipëria është gati të presë mijëra afganë.
“Edhe pse të gjithë sot kanë në mendje 1000 pyetje e diskutime të mundshme për atë që ka ndodhur dhe atë që do të jetë e ardhmja e NATO-s, çështja kryesore, në fakt e vetme, ku duhet të fokusohemi sot janë gratë, fëmijët dhe burrat afganë që sot rrezikojnë jetën sepse punuan për ne. Është e papranueshme që vendet anëtare të NATO-s të mos arrijnë dot t’ju ofrojnë strehim dhe një jetë të re njerëzve që punuan dhe luftuan për të ardhmen që ne ju premtuam. Nëse Shqipëria e bëka këtë, cili vend në këtë tryezë nuk e bëka dot?!“, tha kryediplomatja Xhaçka gjatë fjalës së saj.
Xhaçka gjithashtu ka bërë edhe një reagim në Twitter ku shkruan se kjo ka të bëjë edhe me të ardhmen e NATO-s.
“Shqipëria është gati të presë mijëra afganë. Kjo është një sfidë për NATO-n në tërësi. Nëse Shqipëria mund ta bëjë këtë, pse jo pjesa tjetër? Ne kemi një detyrim ndaj njerëzve që punuan dhe luftuan me ne. Ne mund dhe duhet të ndihmojmë. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e NATO po aq sa edhe për misionin humanitar“, shkruan Xhaçka.
Në përfundim të takimit, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s aprovuan edhe një deklaratë të përbashkët.