“Credit Car”, 10 makina luksi të vjedhura në BE kapen në Shqipëri
Tiranë- Të gjitha rrugët e trafikut të makinave të vjedhura të sjellin në Shqipëri. Operacioni më i fundit i Policisë së Shtetit zbuloi në qytete të ndryshme të vendit makina të vjedhura në Itali, Austri, Greqi, Serbi e Bullgari. Dhjetë automjetet e vjedhura në vendet e Bashkimit Europian, janë bllokuar në kuadër të operacionin të koduar CREDIT CAR II, i cili kishte si objekt goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e makinave të vjedhura. Zbulimi i automjeteve të vjedhura përmes mashtrimeve financiare si: automjete të blera me kredi, të marra me qira apo nëpërmjet mashtrimit me figuracionet, ishin gjithashtu qëllime të këtij operacioni rajonal. “Ky operacion është zhvilluar nga data 16 deri më 19 maj 2011, me nismën dhe drejtimin e qendrës SECI në Bukuresht, Rumani, me pjesëmarrjen e vendeve të Europës Juglindore, anëtare të kësaj qendre ndërkombëtare, përkatësisht strukturave të policive, prokurorive, doganave, të Interpolit dhe Europolit”, - bëri me dije zëdhënësja e Policisë së Shtetit. Koordinimi i veprimeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë zhvillimit të këtij operacioni u krye nga grupi i punës i ngritur në Drejtorinë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Gjithashtu, bëhet e ditur se për zhvillimin e këtij operacioni u angazhuan një sërë strukturash të Policisë së Shtetit si: Departamenti kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, përkatësisht: Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtoria kundër Krimit Financiar; Departamenti për Kufirin dhe Migracionin; Departamenti i Sigurisë Publike; Drejtoria e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar, si dhe Drejtoritë e Policisë në Qarqe. Në kuadër të këtij operacioni janë verifikuar rreth 1 085 automjete të llojeve të ndryshme, kryesisht gjatë kontrolleve të ushtruara me grupe kontrolli të lëvizshme brenda qyteteve dhe në akset rrugore, si dhe grupeve të ngritura në hyrje-dalje të qyteteve. “Nga verifikimet e kryera përmes sistemit të Interpolit kanë rezultuar të vjedhura dhe të trafikuara në vendin tonë 10 automjete. Tre automjete janë konstatuar në qarkun e Durrësit; 3 në Qarkun e Lezhës; 2 automjete në qarkun e Elbasanit; 1 automjet në qarkun e Korçës dhe 1 automjet në qarkun e Vlorës. Nga verifikimet e kryera mësohet se automjetet e trafikuara, kryesisht të tipit të fundit, kanë rezultuar të vjedhura në vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Europian si: në Itali 5 automjete, në Austri 1 automjet, në Serbi 1 automjet dhe në Bullgari 2 automjete. Për të gjitha këto automjete janë kryer procedurat përkatëse ligjore dhe materialet janë referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore për hetime të mëtejshme.