E Diel, 1 Nëntor 2026

Stresi heq dorë nga sharjet drejtuar Noizy-t



Stresi i grupit muzikor TBA, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lusha mesa duket ka vendosur të heqë dorë nga sharjet drejtuar Noizy-t në këngët e tij. Këtë verë ai po përgatitet për një këngë plot ritëm në duet me Big Bastën, me titull “Million Dollars”, prodhim i “Big city studio”. Stresi e ka shkruar vetë tekstin e përshtatur me muzikën e Big Bastës, që është dhe producenti ekzekutiv. Kënga pritet të jetë një super hit, ndërsa u drejtohet vetëm vajzave të bukura. Në vargjet e kësaj kënge nuk shahet askush siç jemi mësuar të dëgjojmë në këngët e Stresit. Kësaj here ai do të tregohet i dashur, lajkatar dhe mbrojtës me shpirt i vajzave që i pëlqejnë. Në çdo varg e refren ato vlerësohen duke u thënë se Stresi e Big Basta investojnë për to që të jenë gjithmonë të bukura dhe gjithmonë të tyret. Pas këtij bashkëpunimi Stresi do të publikojë një tjetër këngë në duet me Barbanën me titull “Cover boy”, po ashtu krijim i Big Bastës. Disa nga këngët e tij të mëparshme janë; “Bonjour madam”, “Game over”, “Hajde me mu”, “N’përgjithësi”, “Shkurt e gjatë”, “Nuk jena bo na, jena kan”, etj. Në vargjet e shumë prej këngëve të tij në bashkëpunim me repera të tjera të rinj shahej Noizy, një konflikt i rëndë, që i çoi në polici. Dy këngëtarët janë njohur për herë të parë në vitin 2007, kur Noizy i sapo kthyer nga Londra doli në skenë në festivalin “Kënga magjike 2007” me këngën “Veç për ty”. Po ashtu kishte realizuar klipin “Kosovë-Shqipëri” me Dudën’n Monny & Jr. Mendohet që konflikti të ketë nisur kur një shok i Stresit, që njihet si Dmc, shau Dudën në një këngë ku thuhej: “S’jemi duda as dudana...” Pas kësaj Noizy ia ktheu me këngën “Histori e gjatë”, një këngë që pati sukses dhe u pëlqye nga fansat e tij. Pas kësaj ata vazhduan për një kohë të gjatë “luftë” duke shkruar këngë sharëse dhe kërcënuese ndaj njëri-tjetrit, shumë prej të cilave mund të gjendeshin vetëm në youtube. Pas shumë konflikteve, dy reperat i dhanë dorën njëri-tjetrit pak javë më parë në emisionin “Mos u nxeh” të Tyrjan Hyskës. Pas sherrit ata kanë pohuar se janë pajtuar dhe e kanë falur njëri-tjetrin fillimisht në rajonin e policisë, ku u ndaluan dhe u morën në pyetje për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›