E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria largon 80 bunkerët pas protestës së pushuesve



FIER/ MALINDA RAMA

Pas protestave të pushuesve për tmerrin që shkaktonin bunkerët e nxjerrë tashmë në brigjet e detit, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes. Prej dy ditësh, efektivët e saj kanë rinisur aksionin e lënë përgjysmë një vit më parë, për largimin e qendrave të zjarrit nga bregdeti i Semanit. Aksioni për largimin e bunkerëve nisi verën e kaluar gjatë sezonit të plazhit, kur forcat e ushtrisë arritën të largojnë rreth 30 bunkerë, ndërsa shumë të tjerë të cilët shkojnë mbi 80, u nxorën nga uji për t'u vendosur në brezin e rërës, me qëllim largimin e tyre në një fazë të dytë. Megjithatë kjo nuk ndodhi, duke bërë që pushuesit të gjejnë dhe këtë verë plazhin e mbushur me beton. Si pasojë e ardhjes së detit rreth 10 metër në thellësi të brezit të tokës, bunkerët përsëri janë nën sundimin e vijës ujore, rreth 3-4 m në thellësi të tij. Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të prefekturës së Fierit inspektuan terrenin dhe premtuan largimin e bunkerëve brenda një kohe të shkurtër. "Kemi parë nga afër së bashku me përfaqësuesit e ministrisë çdo bunker të mbetur dhe prej dy ditësh nisi puna për heqjen e tyre. Ky aksion ka nisur edhe verën e kaluar dhe për arsye objektive u realizua vetëm faza e parë e tij. Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar tashmë të gjitha marrëveshjet me komunën dhe tashmë nisi faza e dytë. Aksioni për largimin përfundimtar të bunkerëve nga deti do të përfundojë brenda pak ditësh me qëllim që muajt e plazhit ta gjejnë zonën e bregdetit të çliruar nga pesha e betonizimit nga këto qendra zjarri", deklaroi Viron Balla, shef i emergjencave civile në prefekturën Fier. Edhe kryetari i komunës Seman, Sotir Zarka, ka deklaruar se aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha qendrave të zjarrit dhe grumbullimin e tyre larg zonës së plazhit, në një territor të caktuar nga komuna. Prania e bunkerëve dhe këtë verë duket se ka ulur në këto ditë të sezonit veror numrin e pushuesve. Ata kanë frikë nga këta bunkerë, pasi në të kaluarën janë bërë shkas për humbjen e jetëve të pushuesve. Sipas tyre, ky aksion duhej të ishte kryer më parë.
Ndërkohë, paralel më këtë aksion për çrrënjosjen e kërpudhave të betonizuara edhe komuna po mundohet që të bëjë pastrim për pjesën tjetër të plazhit. Megjithatë, sipas Zarkës, problem mbetet për plazhistët ndotja nga sera dhe nafta. "Nuk duhet të derdhen mbetjet e naftës në lumenj se ato derdhen të gjitha në det", thotë kryekomunari duke bërë thirrje për parandalimin e këtij fenomeni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›