Taksa e lartë, privati ia lë vendin plazhit publik
DURRES - Për herë të parë pas shumë vitesh, ka gjasa që në verën e vitit 2010 territori i plazhit publik në Durrës të ketë më shumë hapësirë në dispozicion. Dyfishimi i taksave për licencën e plazhit privat, ka ndikuar në uljen e masës 15%-20% të aplikimeve për ushtrimin e këtij aktiviteti. Burime nga zyra e Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit saktësuan për gazetën se "nëse në verën e vitit 2009 për një plazh me sipërfaqe 200 metra katrorë paguhej 130 mijë lekë, gjatë vitit 2010 tarifa për licencim kap vlerën e 300 mijë lekëve të reja. Deri më tani për plazh privat kanë depozituar aplikimet në Bashkinë e Durrësit 100 subjekte, 90% e të cilave janë miratuar. Shifra e aplikimeve për këtë lloj aktiviteti në vitin 2010 është më e ulët në krahasim me vitin e kaluar, kur në Bashki u depozituan të paktën 125 kërkesa. Por pavarësisht uljes së aplikimeve, dyfishimi i tarifës për plazhin privat ka bërë që buxheti i bashkisë të mbushet, pasi deri më tani në të janë derdhur 18 milionë lekë të reja. Dy muaj më parë Këshilli Bashkiak i Durrësit votoi për dyfishimin e taksave, duke shpresuar që një manovër e tillë financiare do të zmadhonte sipërfaqen e plazheve publike. Në bazë të rregullave të fundit të Bashkisë së Durrësit një plazh privat prej 200 metrash katrorë, me 32 çadra dhe 64 shezlonë do të mund të përdoret në stinën e nxehtë kundrejt licencës që kushton 300 mijë lekë të reja. o.u