E Diel, 1 Nëntor 2026

G-8 dhe g-20 forcojnë masat antikrizë

Prof.Dr ANASTAS ANGJELI

Takimi i Torontos mblodhi në fundjavë udhëheqësit e G-20, të cilët shqyrtuan dhe vendosën për vazhdimin e masave dhe mënyrat për daljen nga kriza më e keqe financiare në botë që, nga Depresioni i Madh i 1930. Duke pasur në qendër të axhendës së vet problemet e tregjeve financiare, krizën buxhetore (deficitet), progresin e deritanishëm të reformës financiare antikrizë, ecurinë e masave stimuluese të ekonomisë dhe ndikimin në rigjallërimin e ekonomisë globale, vendosjen e një takse globale mbi bankat dhe promovimin e tregut të hapur, ky samit pritet të shënojë “fillim të ri për rigjallërimin e ekonomisë globale”.
Mënyra e zhvillimit të diskutimeve dhe vendimet e marra të shprehura në deklaratën e G-20 (e cila ishte në harmoni me atë të G-8) dëshmojnë më së miri nga njëra anë faktin se shqetësimet e krizës globale të nisur gati tre vjet më parë po vazhdojnë, sidomos duke u kthyer në një problem për sistemet financiare të vendeve të globit në përgjithësi (kriza e deficiteve buxhetore, ajo e borxheve dhe mbikëqyrja e sistemit bankar, në veçanti) dhe nga ana tjetër, ajo është shprehje e faktit se kjo krizë mbetet në qendër të axhendës së liderëve të vendeve më të zhvilluara. Gjithashtu, kjo është dëshmi edhe e faktit se “aleanca globale antikrizë” funksionon me instrumente konkrete për përballjen e saj dhe për ta çuar ekonominë globale në një rigjallërim e zhvillim të
KRIZA E DEFICITEVE BUXHETORE DHE ZHVILLIMI EKONOMIK.
Sipas analistëve më në zë të financave publike, duket se udhëheqësit e vendeve të G-20 në këtë samit pranuan faktin që financat e brishta publike mund të ndikojnë për keq në zhvillimin afatgjatë. Këtë e dëshmoi edhe fakti që, njëherësh gjatë zhvillimit të takimit të G-20, liderët e (G-8 në samitin e tyre, që zhvilloi punimet në të njëjtën kohë), me gjithë axhendën e “ngjeshur politike të tyre”, treguan mirëkuptim gjatë diskutimeve për krizën financiare dhe ekonominë globale.
Në deklaratën e G-8 (Deklarata Muskoka) si një mjet për të mbështetur rimëkëmbjen nga kriza globale ekonomike, u afirmua angazhimi i saj për tregje të lira dhe të hapura dhe se ekonomia globale do të vazhdojë t’u rezistojë presioneve proteksioniste, si dhe të promovojë liberalizimin e tregtisë dhe investimeve sipas OBT-së, nëpërmjet reduktimit të barrierave nacionale, si dhe përmes negociatave dypalëshe dhe rajonale. Gjithashtu, G-8 vuri në dukje se përmirësimi i shëndetit matern (shëndetit të nënave) dhe ulja e vdekjeve foshnjore kanë qenë në nivel të ulët dhe se zhvillimet e ardhshme duhet të fokusohen edhe në këtë drejtim. Prandaj, mbështetja për zhvillimin do të bazohet në përgjegjësi të përbashkët dhe në një partneritet të fortë me vendet në zhvillim dhe në veçanti me Afrikën. Por, kjo kërkon që këto vende t’u përmbahen detyrimeve të tyre për zhvillim ekonomik dhe social dhe për qeverisje të mirë, në interes të qytetarëve të tyre. Gjithashtu, në mënyrë që të arrihen qëllimet e “Millenium Development Goals” (Qëllimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit) samiti kërkonte një përqasje globale, e cila do të përfshijë jo vetëm Qeveritë, por edhe sektorin privat, OJQ-të, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq, çështja e reduktimit të deficiteve, që Europa dëshiron të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast në fillim të 2011-ës, para takimit kishte krijuar një “tension” midis Europës dhe SHBA. (Shqetësimi midis politikave për zhvillim dhe për kursim që duhet të ndiqen, sidomos nga vendet e BE-së). SHBA kishte shprehur shqetësimin se masat shumë të fuqishme të kursimit mund të vënë në rrezik çështjen e rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Ky shqetësim u përcoll edhe përmes ministrit amerikan të Financave, Timothy Geithner, i cili theksoi në këtë takim se bota “nuk mund të mbështetet në ndihmën e SHBA në të njëjtën shkallë si në të kaluarën”. Por, Geithner theksoi gjithashtu se, Europa duhet të përqendrohet në zhvillimin, por edhe në shkurtimin e shpenzimeve, me qëllim reduktimin e deficitit. Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, përsëriti se “ka ardhur koha për reduktimin e deficiteve buxhetore. Evropa ka përjetuar përvojën e asaj se ç’do të thotë të kesh deficite buxhetore shumë të mëdha”, tha Merkel në një aluzion të vështirësive të kohëve të fundit në shumë vende të BE-së, në mes tyre, Greqia, Portugalia, Spanja etj.
Megjithatë, duket se mirëkuptimi për përballjen me krizën, stabilitetin e tregjeve, ringjalljen ekonomike dhe zhvillimin e çoi G-8 dhe G-20 në një deklaratë të pranuar nga të gjithë, ku masat për përballjen e krizës së deficiteve buxhetore do të jenë të harmonizuara me politikat e zhvillimit.
MASAT PER RRITJEN E
MBYKQYRJES BANKARE
Vetëm pak ditë para hapjes së samitit të Kanadasë, SHBA miratoi reformën financiare, duke i ofruar këtij samiti jo vetëm vendosmërinë e forcimit të rregullave të mbikëqyrjes në sistemin bankar dhe tregjet financiare (në Wall Street), por njëherësh edhe rritjen e transparencës (testi i së vërtetës) në këtë sistem.
Ndërkaq, në këtë samit, sikur të mos mjaftonin demonstratat e lëvizjeve antiglobaliste, masat antikrizë të propozuara, që lidhen me shtimin e mbikëqyrjes së sistemit bankar, patën edhe kundërvënien e fuqishme të lobingjeve bankare, të cilat synonin që reforma e propozuar të mos vihet në zbatim, duke mbështetur idenë se rimëkëmbja ekonomike dhe kreditimi do të vihen në rrezik. Fjala është për reformën e njohur si Basel III, që kërkon nga bankat të vënë mënjanë më shumë kapital dhe të mbajnë një nivel minimal të aseteve likuide, duke filluar nga fundi i 2012.
Shtimi i rregullave të mbikëqyrjes dhe rritja e transparencës në sistemin bankar dhe tregjet financiare, rekomandimet e Komitetit (Basel III) në lidhje me volumin e fondeve (aseteve) likuide, që bankat duhet të mbajnë (likuiditetin e emergjencës) në rast rreziku, për të cilën kërkohet që financimet buxhetore (shtetërore) të mos përdoren më, si dhe vendosja e një takse globale për bankat (kjo e fundit me gjithë kundërshtimin e Rusisë), ishin në qendër të diskutimit dhe vendimmarrjes së samitit.
INSISTIM NE EKONOMINë E GJELBëR
Takimi i liderëve të vendeve me të industrializuar dhe atyre më të zhvilluar në Kanada, (G-8 dhe G-20) me mbështetjen edhe të OKB-së, nuk la jashtë vëmendjes çështjen e mbrojtjes së ambientit dhe zhvillimin e gjelbër. Deklaratat e tyre mbështetën faktin shkencor, sipas së cilit, rritja e temperaturës nuk duhet të tejkalojë 2 gradë celsius, duke kërkuar ulje të theksuar në emetimet globale të gazrave. “Bazuar në përvojën tonë kolektive, ne besojmë se mënyra më e mirë për të forcuar kornizën për një zhvillim të fortë dhe të qëndrueshëm është investimi në një ekonomi të gjelbër zhvillimi për të gjithë. Kjo përqasje do të ndihmojë zgjidhjen e problemeve të mëdha, që lidhen me sigurinë e ushqimit dhe ndryshimet klimatike dhe do të sigurojë hapjen e vendeve të reja të punës”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Liderët e (G-20) diskutuan dhe mbajtën qëndrim edhe për rëndësinë e ndryshimeve klimaterike dhe nevojën për eliminimin gradual të subvencioneve të lëndëve djegëse. Ata shqyrtuan përparimin e bërë deri tani për identifikimin e subvencioneve të pasuksesshme, të cilat inkurajojnë konsumin e lëndëve djegëse të panevojshme dhe ranë dakord për vazhdimin e përpjekjeve për eliminimin gradual (vullnetar) të masave të tilla nga të gjitha vendet anëtare të G-20. Prandaj, G-20, këmbënguli në këtë samit në angazhimin për një ekonomi të gjelbër dhe për një zhvillim të qëndrueshëm nëpërmjet investimeve, veçanërisht në energjinë e pastër.
PARALELE DHE REFLEKSION PëR EKONOMINë DHE FINANCAT SHQIPTARE.
Shqipëria, me pretendimin e saj për t’u përballur me faktet e krizës globale, për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duhet të jetë refraktare në politikat e saj ekonomike e financiare, duke ndjekur me vëmendje vendimmarrjen e vendeve më të zhvilluara, veçanërisht të atyre të BE–së, ku dhe aspiron të integrohet. Kjo veçanërisht në drejtim të përcaktimit të prioriteteve të zhvillimit, duke përafruar zhvillimin e gjelbër si model i zhvillimit të qëndrueshëm të politikave të punësimit dhe uljes së varfërisë, të politikave fiskale e buxhetore efikase për reduktimin e deficitit dhe të borxhit (sidomos me ndryshimet buxhetore që priten të bëhen), forcimin e rregullave të mbikëqyrjes bankare, rritjes së transparencës etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›