Stresi, lirohet nga burgu

Gjykata e Apelit Tiranë liron nga qelia reperin Arkimed Lusha, i njohur në publik me emrin Stresi. Lushaj u arrestua në orët e para të 1 nëntorit në Tiranë, teksa festonte Hallouinin me miqtë e tij, për shkak se mbante me vete një pistoletë pa leje.
Thuajse katër javë pas arrestimit, Apeli pranoi kërkesën e mbrojtësit të tij ligjor, avokatit Marash Ibraj, për lirimin e këngëtarit të akuzuar për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, njofton "Panorama". Treshja gjykuese e Apelit, e kryesuar nga gjyqtarja Zegjine Sollaku, vendosi ndryshimin e masës “arrest me burg” të vendosur në Shkallën e Parë, në “detyrim për paraqitje”.
Në këtë mënyrë, hetimi ndaj reperit Stresi do të vijojë teksa ai do të jetë në gjendje të lirë. Sipas vendimit, Stresi duhet të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 13:00. Në seancën gjyqësore në Apel, përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi lënien të pandryshuar të vendimit të Shkallës së Parë të datës 3 nëntor 2012, që caktoi “arrest me burg” për këngëtarin.
Nga ana tjetër, avokati Marash Ibraj kërkoi zbutje të kësaj mase sigurie. Sipas avokatit, arma që i është sekuestruar klientit të tij nuk ka pasur karikator, as fishekë, duke mos paraqitur asnjë rrezikshmëri. Ky fakt është pohuar edhe nga deklarimet e vetë të dyshuarit Stresi në seancë. “E kam pasur pistoletën me vete ngaqë ishte nata e Hallouinit. Karikatorin e kisha lënë në makinë, për të mos paraqitur asnjë rrezikshmëri për personat që kisha pranë. Nuk e kisha për asnjë qëllim të keq. E mbaja vetëm për t’u mburrur para bashkëmoshatarëve të mi”, - është shprehur ai. /Indeksonline/