Stresi para provimeve, i jep fund jetës 14-vjeçarja
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Depresioni nga ngarkesa e provimeve të pjekurisë çon në vetëflijim një 14-vjeçare. Nxënësja e klasës së nëntë në shkollën e fshatit Babicë, Klodiana Kapaj ndërroi jetë në spitalin e Vlorës mesditën e së enjtes. Sipas policisë, minorenia kishte konsumuar në mëngjes, para se të nisej në shkollë detergjente zbar-dhues, si: klor dhe acid larës. Ajo është ndier keq në orë të mësimit, duke shfaqur simptoma të tilla si dhimbje të forta të stomakut e më pas i janë shkaktuar të vjella. Mësuesit e shkollës nxituan t'i japin ndihmë nxënëses së tyre kur ajo nisi të nxjerrë shkumë nga goja. Ata njoftuan prindërit e saj dhe më pas e nisën menjëherë për në spitalin e Vlorës. Por megjithë ndihmën e mjekëve, 14-vjeçarja nuk mundi t'u rezistojë detergjenteve me përmbajtje të fortë acidi që ajo kishte konsumuar. Pak minuta pas mbërritjes, megjithë lavazhet dhe shërbimin e bluzave të bardha, e mitura ndërroi jetë. Pas ekspertizës mjeko-ligjore u konstatua se shkak i vdekjes së viktimës ishte konsumimi i një sasie të konsiderueshme detergjenti, i cili i kishte shkaktuar djegien dhe shkatërrimin e stomakut dhe të zorrëve, por edhe helmimin e gjakut. Pas kësaj ngjarjeje, policia e Vlorës nisi hetimet, duke marrë në pyetje prindërit si dhe shokët e klasës së 14-vjeçares. Sipas dëshmisë së tyre, kohët e fundit Klodiana kishte shfaqur shenja depresive. Shkak sipas tyre ishte mospërballimi nga ana e saj e ngarkesës së mësimeve, sidomos i provimeve të pjekurisë, të cilat nisnin vetëm pak ditë më pas. Nga hetimet paraprake, policia mësoi se viktima, në kushtet e një depresioni të rëndë, kohët e fundit kishte nisur të debatonte edhe me shoqet e saj. Ajo ia kishte treguar zënkën me shoqërinë edhe së ëmës, ndërsa kjo e fundit i kishte tërhequr vëmendjen së bijës të ishte më e kujdesshme dhe të mos krijonte situata të pakëndshme me shoqet e saj të klasës. Duket se mosmiratimi i prindërve të saj në lidhje me situatat e krijuara së fundmi e kanë rënduar gjendjen e saj psikologjike derisa ajo vendosi të konsumojë detergjentet vdekjeprurëse. Ajo u nis në shkollë pa iu treguar prindërve të saj për veprimin që kishte kryer. Nxënësit e klasës së nëntë në shkollën e Babicës janë tmerruar kur kanë parë shoqen e tyre, që nxirrte shkumë nga goja teksa ishte në grahmat e fundit të jetës.