Stresi për veshjen e VIP’ve
Elizabeth Musmanno, që ishte drejtore e marketingut në Vera Wang dhe Christian Dior Couture për tregun global, do të vjen në Shkup më 4 prill për të prezantuar ‘’ Sekretet e marketingut të suksesshëm’’. Ajo njihet nga bashkëpunimet e saj me yjet për veshjet e tyre në ngjarjet dhe ceremonitë e ndryshme. Ardhja e saj organizohet nga agjencia kreative ‘’P’’, ndërkaq me poshtë në këtë intervistë ajo flet për vështirësitë e veshjes së një ylli në ceremonitë e mëdha, si për Oskar apo Golden Globe.
Cili është procesi për të bërë një yll Hollywood’i të veshë fustanin tënd?
Në të vërtetë funksionon në mënyra të ndryshme, por në përgjithësi në një shtëpi të modës ka konsulentë për VIP që punojnë me të gjithë top stilistët dhe të famshmit. Por, gjithë kontaktet e kësaj bote nuk do t’ju ndihmojnë nëse veshjet nuk janë të mahnitshme.
Yjet kanë persona të përgjegjshëm për marrëdhënie me publikun, nëpërmjet të cilëve realizohen kontaktet. Por, nëse keni kontakte të ndërtuara me personin e famshëm , çelësi është të shfrytëzohen marrëdhëniet shoqërore.
Çka ndodh me fustanet pas përfundimit të Oskarëve?
Veshjet janë të bëra për yjet posaçërisht kështu që ato i mbajnë. Shpeshherë mund të përgatitet fustan për një yll dhe ato nuk e veshin atë. Konkurrenca për të veshur një yll në 5 vitet e fundit është bërë tepër e fortë. Kam pasur rast kur kemi dërguar fustan për një yll në hotel dhe brenda disa minutave kam marrë telefonatë nga stilistë për të na pyetur çka dërguam dhe për cilën. Ka spiunë gjithandej dhe presioni te stilistët për t’u siguruar se ylli që vesh nuk ka veshur të njëjtin dizajn si të tjerët. Është situatë e tensionuar.
A ka në historinë e Oskarit dy yje të veshur me të njëjtin fustan?
Sa kam njohuri unë, jo në të njëjtën ceremoni, por ky rast ka ndodhur me “Chanel” ... dhe akoma më bën të dridhem nga frika kur e shoh se mund të ndodhë aq lehtë. Në çmimet për Globin e Artë, Reese Witherspoon kishte të veshur një fustan të cilin Kristen Dunst e kishte veshur vite më parë. Ishte e qartë se njëra e kishte marrë nga Channel në Paris, ndërsa tjetra nga Channel në New York dhe dy palët nuk kishin komunikuar ose evidenca e mbajtur ndër vite ka pasur mangësi, pasi që edhe anëtarët e ekipit janë ndryshuar. Kjo është arsyeja pse në një kompani globale duhet të ketë vetëm një brumë, një person për të menaxhuar veshjen e VIP’ve. Kjo nuk duhet të bëhet nga ekipet lokale, kjo është edhe arsyeja pse fustanet bëhen me porosi. Përveç kësaj, VIP’at vishen me fustane që nuk shiten në butiqe për të eliminuar çdo mundësi që dy VIP të paraqiten me veshje të njëjtë.
Çka ndodh nëse një yll Hollywoodi zgjidhet si VIP më keq e veshur në tapetin e kuq, për pamjen e së cilës ju jeni përgjegjëse? Apo ndoshta çdo publicitet është i mirë, pa marrë parasysh nëse është i mirë apo i keq?
Ka kaq shumë gjëra që janë jashtë kontrollit të stilistit, por që ndikojnë në pamjen e përgjithshme... stili i flokëve, truku, aksesorët. Prandaj duhet të analizohen gjithë kritikat një nga një. Është rrezik, por rrezik që ia vlen të ndërmerret, sipas opinionit tim.
A jeni të ngarkuara për look-un e përgjithshëm të një ylli, apo puna juaj përqendrohet vetëm në veshje?
Vetëm për veshjen. Stilisti i punësuar nga VIP direkt adresohet me shtëpitë e modës, dyqanet për aksesorë, këpucë dhe konsultohet për stilimin e flokëve dhe trukut.
A është praktikë e shpeshtë anulimi i fustaneve pak kohë para Oskarëve dhe çfarë ndodhë më pas?
Nuk ka aktore në botë që bashkëpunon vetëm me një shtëpi të modës. Pra, absolutisht shpenzohet shumë për të përgatitur një veshje, me shpresën që të jetë më i miri. Ne nuk e njoftojmë publikun për asgjë, derisa nuk e shohim fustanin tonë të veshur në tapetin e kuq. Ka ndodhur që të dashurit e aktoreve t’i bëjnë ta ndërrojnë fustanin disa minuta para se të nisen për në ceremoni, madje kemi pasur edhe rast kur aktorja ka ndryshuar fustanin në makinë duke shkuar në ceremoni, kështu që nuk dërgojmë asnjë komunikatë derisa ti shohim në tapetin e kuq.
Kush janë yjet të cilët janë më të vështirë për të bashkëpunuar?
Këtë KURRË nuk do ta them.
Cila veshje nga Oskarët është e preferuara për ju?
I adhuroj shumë momentet avangarde dhe jam e opinionit se të gjithë në industrinë e modës mendojnë kështu. Më pëlqen Tilda Swinton, edhe pse e di që nuk është ndonjë “sexy bombshell” pas së cilës vrapon publiku. E respektoj sensin provokues dhe sensual në veshjet e saj. Mendoj se është një ikonë e vërtetë e modës.
Bashkëpunimi me yjet kinematografikë
Na tregoni diçka rreth bashkëpunimit tuaj me yjet si Keira Knightley, Michelle Williams dhe Rachel Weisz...
Ky është shembull i mirë se si “procesi” është i ndryshëm në varësi nga personi dhe evenimenti. Nuk ekziston një formulë e përgjithshme sepse punohet me stilistë të ndryshëm dhe me orare intensive, në të cilën çdonjëri udhëton dhe gjendet në zona të ndryshme kohore. Për Keira, kemi punuar direkt me stilisten Rachel Zoe. Rachel na tregoi se Keira është e interesuar për një fustan shumë joshës dhe glamuroz dhe ngjyrat që i do. Ne e bëmë një skemë që u aprovua dhe më pas qepëm fustanin sipas përmasave të Keiras. Keira fluturoi nga Lodra në LA, ne dërguam fustanin nga NYC në LA dhe asnjëherë nuk e takuam atë. Kemi dëgjuar se fustani është goditur tamam për trupin e saj dhe se kur e ka veshur të gjithë e dinin se ky ishte ‘’ the one’’. Keira më pas nxori fustanin në ankand në OXFAM, që ishte një hap shumë me klasë nga ana e saj. Sa i përket Michelle Williams, e takuam disa herë atë pasi që jeton në NYC. Heath Ledger zgjodhi për të ngjyrën e verdhë si taksitë në NYC. Ky ishte një proces më bashkëpunues në mes Vera Wang dhe Michelle Williams, duke diskutuar gjatë çka do të ishte më mirë për të. Heath ishte shumë i ëmbël duke ndjekur Michelle në studio si dhe kur i vizituam në shtëpinë e tyre në Brooklyn, ku na bëri të gjithëve të pimë. Ne nuk e dinim që do të vë buzëkuq të kuq që të gjithë do ta adhuronin. Ajo ishte e mahnitshme në atë fustan, “çfarë çifti”, të gjithë thanë kështu. Rachel është një damë britanike me klasë, me të cilën është shumë e lehtë të bashkëpunosh. Ajo duket e mrekullueshme në gjithçka që vesh, është kënaqësi e vërtetë të punosh me të. Më kujtohet se shkoi vetëm në Oskarë dhe u kthye të nesërmen. Një ditë e zakonshme në jetën e kësaj nëne. Pa ekzagjerime! E adhuroj!
(Kjo intervistë është dhënë ekskluzivisht për gazetën Express në Kosovë dhe gazetën Shqip në Shqipëri)