Strukturat e bujqësisë dhe ushtria nisin pastrimin e rezervuarit në Lushnjë nga peshqit e ngordhur

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Në Lushnjë ka nisur pastrimi i rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë pas ngordhjes së peshqve gjatë ndërhyrjes për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit.
ndërsa strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet e linjës po asistojnë Bashkinë e Lushnjës në menaxhimin e situatës.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla si dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi inspektuan punën në terren teksa strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Forcat e Armatosura dhe institucionet e linjës po asistojnë Bashkinë e Lushnjës në menaxhimin e situatës.
Salla tha për mediet se institucionet në varësi të ministrisë po asistojnë bashkinë përmes Bordit të Kullimit, Drejtorisë së Peshkimit dhe strukturave të tjera.
“Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë”, u shpreh Salla.
Ai sqaroi se subjekti që kishte pasur kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga Bashkia e Lushnjës për ndërhyrjen dhe nevojën për largimin apo grumbullimin e peshkut përpara nisjes së punimeve.
Salla theksoi se angazhimi i strukturave të Ministrisë së Bujqësisë synon të ndihmojë në përballimin e situatës dhe në vijimin e ndërhyrjeve në rezervuar.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka theksuar se “në mbështetje të Emergjencave Civile të Bashkisë Lushnjë, në operacion për pastrimin e rezervuarit janë angazhuar 49 forca, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e FA “.
“Ka ndodhur që është zbrazur rezervuari dhe peshku ka dalë në sipërfaqe. Po punojmë me forcat e bashkisë dhe ato të Armatosura që të bëjmë të mundur të largojmë rrjetën që ka bllokuar veprën ujëdalëse. Në momentin që do të bëjmë të mundur që të lirohet kanali i bllokuar dhe uji që mbetet ende në basenin e rezervuarit, do të bëhet e mundur forca e të gjithë mjeteve për të pastruar rezervuarin e mbetur dhe peshkut. Besoj shumë shpejt, brenda ditës së sotme, maksimumi nesër, situata do të jetë normalizuar”, tha Nufi.
Për rehabilitimin e shkarkuesit të rezervuarit, Bashkia e Lushnjës ka akorduar 32 milionë lekë.
Sipas ministrit Salla, punimet kanë arritur në mbi 90% të realizimit.
Rezervuari i Kasharajt, i ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe ujore prej rreth 190 hektarësh dhe kapacitet prej 11 milionë metër kub ujë.
/e.xh/j.p/ /a.g/