Strukturat paralele të Edi Ramës për emergjencën, njëlloj si strukturat paralele serbe

Shkatërrimi i imazhit të shtetit është vendosur në qendër të aksionit politik të Edi Ramës. Ai po tenton të ngrejë struktura paralele, të cilat s’ndihmojnë në kapërcimin e emergjencës, por njëlloj si skemat serbe të veriut të Mitrovicës, synojnë të dëshmojnë se shqiptarët s’ndërtojnë dot shtet
Babagjyshi i vonuar i Vitit të Ri, Edi Rama sërish dje vijoi turin e tij elektoral, këtë herë në Bulqizë. Ai, që sa ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, nuk mbahet mend të ketë mbledhur e shpërndarë ndonjë ndihmë diku, në dy-tre ditët e fundit, ka vënë në rresht kryetarët e njësive vendore që drejtohen nga socialistët, duke i detyruar ata, ta mbushin nga një fugon me ndihma, që ta shpërndajë ai (Edi Rama), për fushatë elektorale.
Pikërisht këtë bërë edhe dje Edi Rama. Por radhën nuk kishin Niko Peleshi, Qazim Sejdini apo Artan Shkëmbi, por Vangjush Dako e Elvis Roshi, që me fugonit e tyre me ndihma, u bënë dje pjesë e autokolonës së Edi Ramës në drejtim të Bulqizës.
Rreshtimi i krerëve socialistë të njësive vendore dhe ndjekja e tyre qorrazi e tekeve të kryetarit të PS-së, është vetëm njëra anë e medaljes, në këto ditë emergjente për një pjesë të Shqipërisë. Ana tjetër e medaljes, ka të bëjë me zellin e Edi Ramës, për të dubluar strukturat shtetërore. Me këtë sjellje të tij, Edi Rama nuk është se po bën ndonjë gjë më pak se serbët e veriut të Kosovës, që krijojnë struktura paralele, që dublojnë strukturat shtetërore në Kosovë.
Por, ndërsa strukturat paralele në veriu e Kosovës e marrin frymëzimin, nxitjen dhe mbështetjen nga Beogradi, vallë këtij Edi Ramës, nga i buron gjithë ky frymëzim, gjithë kjo nxitje apo mbështetje...?. Të mendosh se mbështetësit kryesor janë Niko Peleshi, Qazim Sejdini, Artan Shkëmbi, Vangjush Dako apo Elvis Roshi, është më shumë se shaka...!.
Gjithsesi, Edi Ramës më shumë se pjesa e dukshme e mbështetësve, i intereson qëllimi final i kësaj strukture paralele të ngritur prej tij, e cila është shkurtimi i rrugës drejt pushtetit të mundshëm.
Këtu “i gënjen mendja” Edi Ramës...
Sepse, duke u tallur, sikurse bëri me një të vdekur në Markegaj, e cila ishte varrosur sipas të gjitha zakoneve të zonës, por që Edi Rama do të dëshironte që ende deri sot ajo të mos ishte varrosur, ai beson se pas talljes për të disatën herë me kodin e vdekjes, ka të drejtën morale të bëjë ende fushatë elektorale me fatkeqësi natyrore... Ose e thënë ndryshe, të këmbejë një fugon me ndihma të mbushur nga strukturat paralele (të ngjashme me ato serbe në veri të Kosovës) në Durrës e Kavajë, me disa vota në Bulqizë...
Eh sikur të ishte kaq e thjeshtë, që të fitoheshin votat me një fugon ndihma...