Referendumi në Veri të Kosovës, Berisha: Akt i pa vlerë, s’do ketë ndikim në sovranitetin e Kosovës

Kryeministri Sali Berisha, mbështet plotësisht qëndrimin e qeverisë së Kosovës ndaj referendumit të paligjshëm të serbëve në Komunat e Veriut të Mitrovicës. Në një njoftim për shtyp të kryeministrisë thuhet se referendumi është një akt i pavlerë që nuk do të ketë ndikim në territorin dhe sovranitetin e Kosovës.
“Ky akt i pavlerë dhe pa konsekuencë, për sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, është vepër e strukturave paralele dhe qarqeve të Beogradit që i mbështetin ato. Ai ka si qëllim mbajtjen në rend dite të një skenari të rrezikshëm, që synon ndryshimin e kufijve ekzistues, sipas linjave të pastërta etnike në rajonin tonë”- thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministri Berisha është shprehur gjithashtu se respektimi i kufijve aktual të Ballkanit, është i një rëndësie themelore për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin Euroatlantik dhe Europian të kombeve dhe vendeve tona.