Strukturat paralele thirrje serbëve të qëndrojnë pranë barrikadave

Këshilltarët e të ashtuquajturit Kuvend Komunal në veri të Mitrovicës u kanë bërë thirrje serbëve të mos largohen nga barrikadat. Gjatë një takimi mbrëmjen e djeshme, këshilltarët kanë deklaruar se nuk do t`i pranojnë kurrë institucionet shqiptare, por përkundrazi do të angazhohen për forcimin e mëtejshëm të institucioneve serbe.
“Ftojmë popullin të vazhdojë të qëndrojë pranë barrikadave dhe në mënyrë të qetë të mbrojë familjet e tyre, shtëpitë dhe bashkë me këtë edhe shtetësinë e Serbisë në Kosovë. Apelojmë tek populli serb të jetë i bashkuar, unik dhe këmbëngulës në mbrojtjen e interesave të tyre vitale dhe nacionale”, kanë theksuar këshilltarët serbë.
Gjithashtu këshilltaret kanë kritikuar ashpër përdorimin e armëve nga ana e KFOR-it ndaj popullatës serbe dhe kanë kërkuar zhvillimin e hetimeve të pavarura nga ana e Kombeve të Bashkuara.