Studentë dhe pedagogë bashkë në festë
Përfundimi i vitit shkollor në Akademinë e Arteve, u përcoll mbrëmë mes një atmosfere festive. Një program artistik me performanca artistike, muzikë dhe piktura ishin ato që u prezantuan në këtë festë, e cila u zhvillua pranë këtij universiteti. Ritmin kësaj feste ia shtoi dhe mjeshtri Fatos Qerimi me bendin e tij, të cilët sollën tinguj të mrekullueshëm muzikorë për të gjithë të pranishmit, pedagogë dhe studentë të akademisë.
Jemi të gjithë së bashku në këtë takim në mbyllje të vitit akademik për të festuar dhe për të uruar njëri-tjetrin për fillimin e sezonit të provimeve. Ky muaj provimesh, padyshim që do të jetë i vështirë, por si çdo herë i mbushur me arritje të rëndësishme artistike që kanë shoqëruar gjithmonë procesin tonë metodik e krijues, u shpreh rektori i këtij universiteti Petrit Malaj. Më tej ai shtoi se këto arritje si çdo vit kanë si protagonistë pedagogë dhe studentët e Akademisë së Arteve në të tre fakultetet, në atë të Muzikës, të Skenikut, dhe të Arteve Pamore, ku një rol të pazëvendësueshëm ka luajtur dhe sektori ndihmës administrativ, të cilët i falënderojmë dhe u jemi mirënjohës. Për të vazhduar këtë traditë të jashtëzakonshme, unë ju bëj thirrje që edhe këtë vit si çdo vit paraardhës, klasat, skenat, dhe atelierët tanë kthen në ambiente të hapura jo vetëm për akademikët, profesionistë dhe të interesuarit e fushave, por edhe për artdashësit e shumtë të Tiranës dhe të gjithë vendit, vijoi më tej në fjalën e tij përshëndetëse rektori Malaj. Sipas tij Akademia e Artit kthehet në një qytet të vogël artistik, e aftë dhe e denjë për të ofruar produkte artistike menjë nivel të lartë në muzikë në artet skenike dhe film si dhe në artet pamore, duke përfshirë këtu të gjithë mediumet. Aktivitet e shumta artistike që janë organizuar në Akademinë e Arteve kanë pasur si protagonistë studentë dhe pedagogët e këtij universiteti. Pas fjalës përshëndetëse të rektorit dhe shijimit të spektaklit që kishin përgatitur studentët, më pas gjithçka shkoi drejt ritmeve muzikore.