Studentët e Juridikut në protestë për ndërtesën e prishur
TIRANE- Studentët e Fakultetit Juridik kanë protestuar sot pranë Ministrisë së Arsimit duke akuzuar këtë dikaster për neglizhencë dhe indiferencë ndaj problemit të tyre, që i ka lënë për më shumë se dy javësh mësim. Gjendja kritike e godinës ka shkaktuar bojkotin e procesit akademik në këtë fakultet prej më shumë se dy javësh. Për zgjidhjen e këtij problemi Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule deklaroi se aktualisht janë vënë në dispozicion disa ambiente për rifillimin e mësimit.
Në fjalën e tij rektori Dhori Kule u shpreh se “me ndërhyrje të MASH jemi në tratativa për të zgjidhur këtë problem në tre objekte. I sigurt është objekti i kinoklubit të Qytetit Studenti, është një shkollë 9 vjeçare, gjithashtu është ndërhyrë për gjimnazin “Petro Nini”, ku pas përfundimit të mësimit të gjimnazistëve të lihet në dispozicionin tonë. Njëherazi edhe rektori i Universitetit Politeknik po rakordon me dekanin e Gjeologjisë që edhe ambientet e këtij Fakulteti të vendosen në dispozicionin tonë pasi ata të mbarojnë mësimin”.
Sipas rektorit Kule, më e rëndësishme është zgjidhja në perspektivë e problemit dhe për këtë është duke u projektuar ndërtimi i një kampusi të ri universitarë.
Deri në ndërtimin e nevojshëm të këtij kampusi universitarë, studentët do të jenë të detyruar të zhvillojnë mësimin me dy turne dhe me auditorë të tejmbushur. (a.r/news24/balkanweb)