Studentët e Politeknikut, konkurs për ideimin e pajisjeve elektro-shtëpiake
Studentët e Universitetit Politeknik do të marrin pjesë në një konkurs për projektimin e pajisjeve elektro-shtëpiake, organizuar për të shtatin vit në Shqipëri nga kompania Electrolux. Electrolux Design Lab 2009", një konkurs global për ideim elektro-shtëpiakesh në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Studentor, ka ftuar dje studentët dhe të diplomuarit të Universitetit Politeknik dhe Inxhinierisë së Ndërtimit, që të aplikojnë me idetë e tyre inovative për pajisje të reja shtëpiake. Konkursi synon nxitjen e kreativitetit të studentëve dhe pas seleksionimit do të kryhet faza finale.
Tre fitues do të përfitojnë 2 deri në 5 mijë euro, si edhe një bursë studimi. Projekti iu bë i njohur dje studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës nga përfaqësues të Këshillit Kombëtar Studentor dhe Electrolux Design Lab 2009, në ambientet e Korpusit të Tiranës. Moto e konkursit në edicionin e tij të shtatë është krijimi i një pajisjeje shtëpiake e cila mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit të përgatisin dhe ruajnë ushqimet, lajnë rrobat apo lajnë enët e tyre për nëntë dekadat në vijim. "Design Lab 2009" ka një çmim të parë prej 5000 Euro dhe një internship 6-mujor të paguar në një nga qendrat e Electrolux. Çmimi i dytë është 3,000 Euro dhe i treti 2,000 Euro. Gjatë prezantimit të projektit, kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor Qamil Dika falenderoi drejtuesit e Desin Lab 2009 për mundësinë që u ofrojnë studentëve shqiptarë. Afati i fundit i aplikimit është data 31 maj 2009. Studentët mund të informohen me tepër dhe të aplikojnë nëpërmjet www.electrolux.com/design. Konkursi Electrolux Design Lab 2009 është një konkurs i përvitshëm i hapur ndaj studentëve apo të diplomuarve të universiteteve teknike, të cilët ftohen të prezantojnë idetë e tyre novative për pajisje shtëpiake të së ardhmes. Kjo është një mundësi e mirë për studentët shqiptarë për të kontribuar në ndërtimin e së ardhmes.