Gjirokastër, arrestohet falsifikatori i dokumenteve
Efektivat e policisë në Gjirokastër kanë ndaluar një falsifikator të dokumenteve zyrtare. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, nga ana e specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar është bërë arrestimi në flagrancë i 40 vjeçarit, Ilirian Malo, lindur në Këlcyrë të Përmetit dhe banues në Gjirokastër për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, pasaportave apo vizave, si dhe falsifikim të formularëve, vulave apo stampave.
Në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative sipas të cilave i ndaluari ushtronte veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve kemi nisur procedimin penal në bashkëpunim me Prokurorinë që në vitin 2008, bëri të ditur një prej agjentëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar. Duke përdorur metodat speciale të hetimit, policia e Gjirokastrës arriti të dokumentonte me prova ligjore se Ilirian Malo ushtronte veprimtari kriminale në fushën e falsifikimeve. Gjatë kontrollit që ne ushtruam në banesën e të ndaluarit, zbuluam dhe sekuestruam në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh të falsifikuara si kontrata punësimi për jashtë shtetit, një pasaportë e falsifikuar, një dokument i degës ushtarake po i falsifikuar, etj, shprehet njëri prej pjesëtarëve të grupit hetimor. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.