E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e universitetit në Durrësit në protestë: Duam diplomë, jo certifikatë

Rreth 1700 studente të degëve profesionale tre vjeçare, si infermieri, asistent dentar, asistent ligjor, administrator, dezigner, menaxhim ndërtimi dhe transporti, si dhe të degës elektromekanikes, të mbështetur dhe nga fakultetet e tjera dhe drejtuesit e këtij universiteti kanë protestuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për pajisjen e tyre me certifikatë në përfundim të shkollimit. Nën moton "MASH Reflekto", studentët i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit kalimin nga shkollë e lartë profesionale në fakultet, pasi në fund të tre vjeçarit ata të mos pajisen me certifikatë, por me diplomë ashtu siç e kërkon edhe tregu i punës. Më të shqetësuar në këtë protestë kanë qenë studentët e infermierisë, të cilët jo vetëm nuk mund të vazhdojnë shkollën 3+2 siç u ishte premtuar, por nuk mund të vazhdojnë as shkollë tjetër në këtë degë. Protesta e studentëve është zhvilluar nga ora 09:00 deri në orën 12:00 dhe ajo është përkrahur edhe nga studentë të degëve të tjera të këtij universiteti në të cilin vazhdojnë studimet pak më shumë se 3000 studentë. Nëpërmjet një peticioni, studentët e UAMD-së kanë vënë në dijeni rektorin e universitetit, Agim Kukeli si dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ku kërkojnë që shkolla e tyre të ndryshojë emërtim dhe të quhet fakultet. Kjo kërkesë lidhet me faktin se studentët e vitit të tretë që përfundojnë shkollën këtë vit, nuk mund të kenë mundësi për të marrë një diplomë të njëjtë me studentët e tjerë të infermierisë në vend dhe as të kenë mundësi për të zhvilluar një universitet të dytë. Kryetarja e qeverisë studentore, Miranda Hallulli tha se studentët kanë gjetur mbështetjen e rektoratit dhe stafit akademik në këtë protestë dhe të gjithë kërkojnë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës që të merret menjëherë vendimi për ndryshimin e emrit nga shkollë e lartë në fakultet. "Ne tani sapo kemi mësuar se dega jonë është një cikël 3- vjeçar studimesh, jo 3+2 siç na kanë thënë në fillim. Nëse ne i marrin diplomat këtë vit si studentë të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, do të kemi mundësi që të bëjmë masterin në vend ose jashtë, apo të mund të bëjmë një shkollë të dytë", u shpreh ajo.
Kërkesa pa përgjigje
Kërkesa për ndryshimin e emërtimit është dërguar në fakt që në datën 20 janar, por 135 studentët e infermierisë në të tre vitet, nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje. Studentët kanë bërë të ditur se do të presin një muaj maksimumi për vendimin e MASH- it, ndërsa më pas në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre, do të bojkotojnë mësimin. Ata tashmë janë futur në sezonin e provimeve të semestrit të parë dhe pas mbarimit të tyre, do të fillojnë mësimin për semestrin e dytë të shkollës. Në ditën e parë të fillimit të vitit akademik 2008-2009, Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës nënshkroi një marrëveshje shumëpalëshe të bashkëpunimit me universitetin e shkencave të aplikuara të Landshut të Bayerm të Gjermanisë. Kjo marrëveshje ishte në kuadër të një sërë negocimesh paraprake, midis dy universiteteve, nëpërmjet ekspertit të CIM (Center for International Migration) i atashuar në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës. Përveç shkëmbimit të eksperiencave në zhvillimin e kurrikulave, shkëmbimit të stafit akademik, projektet e përbashkëta, kjo marrëveshje bëri të mundur  marrjen e një diplome bachelor, të studentëve të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Universitetin e Landshut-it. Ky bashkëpunim do të favorizonte  kryesisht, studentët e degës  Specialist Rrjetash Kompjuterike të Shkollës së Lartë Profesionale, të cilët pasi përfundojnë me sukses studimet dy vjeçare në këtë degë, mund të vazhdojnë studimet edhe një vit akademik në Landshut, në përfundim të të cilit mund të diplomohen nga ky universitet. Por në përfundim të tre vjeçarit të parë, studentët janë përballur me neglizhencën e Ministrisë së Arsimit, ku në vend që të diplomohen ashtu siç ndodh edhe në fakultet e tjera, atyre iu është bërë e ditur se do të pajisen me certifikatë, në kundërshtim me tregun e punës.

Email This Klikime: 51

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›